Sylvio Mendes Campos Junior do të prezantohet të hënën si trajneri i ri i Shqipërisë. Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi në ditët e para të janarit se është arritur marrëveshja me brazilianin, i cili pason Edoardo Rejan në pankinën e kuqezinjve. 48-vjeçari do të nënshkruajë një kontratë 18-mujore me FSHF-në. Objektivi i tij i vetëm është që të arrijë kualifikimin në fazën finale të Europianit Gjermani 2024.
Supersport mëson se Sylvinho ka vendosur që të qëndrojë në Tiranë për sa kohë të jetë trajner i Kombëtares, për të qenë sa më pranë futbollit shqiptar e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai do të jetë i angazhuar maksimalisht gjatë gjithë kohës, e thënë ndryshe në një punë “full time”.
Ish-mbrojtësi i majtë ka kërkuar që krahas tij edhe pjesa tjetër e stafit të tij të qëndrojnë gjithashtu në Tiranë, për të patur një bashkëpunim të vazhdueshëm.
Në të tilla rrethana, Hamdi Salihi, i cili ka qenë pjesë e stafit të Kombëtares në rolin e një prej zëvendëstrajnerëve, nuk do të jetë më pjesë e ekipit kuqezi, kjo për faktin se ish-sulmuesi shkodran jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe e ka të pamundur që të zhvendoset të jetojë në kryeqytet.
Ish-mbrojtësi argjentinas Pablo Javier Zabaleta dhe ish-mesfushori brazilian Dorival Guidoni Junior, i njohur si Doriva, janë konfirmuar si ndihmëstrajnerët e Sylvinhos, por Supersport mëson se në stafin e brazilianit do të shtohet dhe një përgatitës atletik, i kërkuar nga ana e tij. Ndeshja e parë zyrtare e Shqipërisë në kualifikueset e kampionatit europian do të jetë në muajin mars në Varshavë ndaj Polonisë, por 48-vjeçari do të ketë dhe një ndeshje miqësore para takimit me polakët për të njohur skuadrën.
Sylvinho është një emër i njohur në futbollin botëror, teksa si lojtar ka qenë pjesë e Barcelonës, Manchester City e Arsenal. Si trajner, në 2011 ai mori pozicionin e zëvendësit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthians, dhe tek Interi së bashku me Roberto Mancinin. Ai ka qenë dhe zëvendëstrajner i Brazilit për tri vite, duke mbajtur postin e asistentit të Tite përpara se të merrte drejtimin e Lyon në Francë dhe më pas Corinthiansit në kampionatin brazilian.