Një studim i ri thotë se valët e mëdha të emigracionit që pasuan pranverën arabe në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme u shkaktuan pjesërisht edhe prej ndryshimeve klimatike. Shkencëtarët e Institutit Ndërkombëtar për Analizën e Sistemeve të Aplikuara në Austri thonë se në rrethana të caktuara, kushtet klimatike mund të çojnë në konflikt, i cili nxit emigracionin e lartë.
Ndërsa pranvera arabe u shtri në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në 2010-tën, miliona njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre gjatë viteve në vijim, në kërkim të një jete të re.
Studiuesit thonë se kanë gjetur prova të lidhjeve mes këtyre konflikteve dhe ndryshimeve klimatike të rajonit, si dhe valëve të emigracionit.
Autorët e studimit thonë se bazat e konfliktit sirian mund të gjenden në periudhat pararendëse të thatësirës dhe mungesës së ujit të pijshëm.
“Bujqësia në fshatra nuk prodhonte më dhe kjo shkaktoi emigracionin nga zonat rurale në ato urbane, të cilat ishin të mbingarkuara dhe me burime shumë të pakta. Pra, një tensioni të tillë rreth burimeve të kufizuara iu shtua edhe polarizimi etnik në Siri. Është kombinim i gjithë këtyre”, thotë Raya Muttarak, e Universitetit të Anglisë Lindore.
Studiuesit përdorën të dhënat nga aplikimet për azil dhe nga rastet e vdekjeve për shkak të konfliktit.
Ata i kombinuan këto të dhëna me një model matematik me të dhëna për thatësirën dhe reshjet, si dhe nivelet e popullsisë, demokracisë dhe diversitetit etnik.
“Shqyrtuam efektet e ndryshimeve klimatike dhe mundësisë për konflikt në disa vende dhe këtë model e aplikuam për të vlerësuar vende të tjera. Dmth, a ka gjasa që vendet që përjetojnë ndryshime klimatike të krijojnë edhe valë refugjatësh?”, thotë zonja Muttarak.
Studiuesit theksojnë se ndryshimet klimatike nuk do të shkaktojnë në çdo rast konflikt dhe valë azilkërkuesish.
“Efekti i klimës tek emigracioni, nëpërmjet konfliktit, është shumë konkret gjatë periudhave të caktuara dhe në vende të caktuara. Pra, konflikti i shkaktuar nga klima është më i mundshëm në një vend me nivel të mesëm demokracie”, thotë zonja Muttarak.
Rezultat e këtij studimi janë specifike për rajonin e Azisë perëndimore dhe për periudhën kohore në fjalë. Megjithatë mendohet se studimi do të kontribuojë në kuadrin e debatit global për emigracionin dhe se si ai do të ndikohet nga ndryshimet e forta klimatike./VOA