Australia ka regjistruar në mars të katërtin muaj radhazi me temperatura rekord, sipas autoriteteve, ndërkohë që ndryshimi i klimës po bëhet një temë e ndjeshme për zgjedhjet e ardhshme legjislative.
Zyra e Meteorologjisë (BDM) deklaroi se kontinenti i madh ishull ka kaluar muajin më të nxehtë mars, me temperatura minimale dhe maksimale më të larta se mesatarja në shumicën e vendeve.
Temperatura mesatare kombëtare ishte 2,13 gradë Celsius më e lartë se temperatura mesatare për muajt mars.
Ky është muaji i katërt radhazi që në vend regjistrohen temperatura rekord.
Muaji janar, në mes të verës australiane, ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë me temperaturë mesatare më të lartë se 30 gradë Celsius.
Megjithatë, disa rajone që u preken më shumë nga thatësira e zgjatur, pushuan për ca kohë me kalimin e shirave që sollën dy ciklonet tropikale në veri dhe perëndim gjatë muajit mars.
“Fatkeqësisht, sasia e shirave të nevojshme për të kompensuar deficitin në zonat e prekura nga thatësira është e konsiderueshme. Do të duhen nivele më të larta se mesatarja për periudha të gjata që të mund të rregullohet bilanci afatgjatë”, thuhet në raportin e BDM-së.
Meteorologët shpjegojnë se rrymat e regjistruara në oqeanet Paqësor dhe Indian kanë kontribuar në rritjen e temperaturave, por thonë se ndryshimi i klimës është gjithashtu një faktor shpjegues.