Politika Ndryshimi i sistemit zgjedhor/ Duma kundër Bashës: Nëse themi s’ka kohë, fitorja...

Ndryshimi i sistemit zgjedhor/ Duma kundër Bashës: Nëse themi s’ka kohë, fitorja nuk do të vijë kurrë

Idenë e saj për ndryshim të sistemit zgjedhor, Grida Duma e ka artikuluar kohë më parë.

Madje shkoi akoma më tej kur i sugjeroi demokratëve të mbështesin një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura si rruga që do t’i çonte drejt fitores.

Kur drafti i opozitës është drejtë finalizimit dhe çështja e sistemit është lënë për një kohë të dytë ish-deputetja nuk e fsheh zhgënjimin me Lulzim Bashën kur i kujton se rruga drejtë fitores nuk vjen asnjëherë nëse mungesa e kohës shihet si arsye për çdo aksion të lënë në mes.

“Besoj që sistemi i hapur, pavarësisht formës, dhe kjo duhet diskutuar maxhoritar, proporcional, kombëtar, është gjë tjetër, por rrit atë që duhet, besimin dhe konkurencën të cilat unë po i quaj në mënyrë metaforike kuajt fitues të vendosen në raport me kontratën e drejtëpërdrejtë me qytetarin të vendosen në krye të axhendës politike. Patjetër që zgjedhjet e parakohshme janë një prioritet më i madh por më lejoni të them që nëse ne do të themi gjithmonë që “nuk ka kohë”, atëherë koha e fitores nuk do të vijë asnjëherë“, shprehet ajo për Abc News.

Problemin e sheh të gjithin te koherenca politike me të cilat vendimet janë marrë dhe thotë se koha për gjetur problemin ka skaduar dhe është moment për të ngjallur shpresë.

“Unë besoj që gjërat nisin nga parimet dhe pastaj ato do të divulgohen në aplikime dhe zbatime. Jam koherente me atë që kam thënë që në momentin e parë. Unë besoj që nëse duam të jemi forcë fituese, duhet të jemi forcë konkuruese dhe frymëzuese. Besimi tek politika ka rënë.

Partia Demokratike si partia më e madhe në opozitë dhe opozita reale është absolutisht misionare dhe përgjegjëse për të rritur frymëzimin dhe besimin te politika. Për mua besimi te politika dhe kushdo që njeh demokracinë e ulët brenda partive politike, kupton që gjëja më e rëndësishme tashmë nuk është vetëm të diagnostikojmë problemin por edhe t’i përgjigjemi atij me frymëzim dhe besim“, vijon Duma.

Ulje-ngritjet dhe tërheqjet e herëpashershme nga qëndrimet e forta politike i konsideron të gabuara teksa e sheh emergjencë qeverisjen e vendit nga e djathta.

“Unë besoj te koherenca në politikë. Besoj që çdokush që nis një aksion e ka menduar mirë strategjinë, për të qenë në fund fare fitues. Mendoj që koherenca në politikë të bën fitues.

Kemi shembuj që e kanë provuar këtë edhe më së fundmi dhe nuk kam nevojë t’i citoj sepse nuk mendoj që ardhja e të majtës në pushtet, qoftë edhe në Kosovë është një arritje për vende të varfëra. Unë mendoj që për vende të varfëra si Shqipëria dhe Kosova sigurisht që ka nevojë për forca të djathta në pushtet për një kohë të caktuar, ku ekonomia e tregut dhe konkurrenca meritokratike të jetë e para“, shprehet ajo për Abc News.

Muaj më parë kur hidhte në treg librin e saj “Koha për Politikë”, Duma lëshoi edhe sinjalin e parë se çdo rezistencë që do t’i bëhej idesë për të mbajtur sistemin aktual zgjedhor do ta kundërshtonte dhe duket se koha për të folur ka ardhur.