Makthi i Alvinit zgjati pesë vjet: në 2014-tën, kur ishte vetëm 6 vjeç, e ëma, Valbona Berisha e mori me vete në Siri, për ta rritur në “kopshtin “ e ISIS-it.
Valbona, një shtëpiake e thjeshtë, që ishte sistemuar më familjen në Barzago të Italisë, u tërhoq shumë nga videot e propagandës së Shtetit islamik në internet dhe ra në dashuri me rekrutuesin e saj.
Deri në atë pikë sa vendosi të braktiste familjen, burrin dhe dy vajzat 11 e 10 vjeç e të transferohej në Siri duke marrë me vete djalin që ai të ndiqte fatin e tij e të rritej si luftëtar i grupit xhihadist.
Indoktrinimi nisi ngadalë, e Valbona filloi të mbante shami koke, si diçka që ne vetvete nuk kishte ndonjë gjë të keqe po të mos ishte vetëm shenja e parë e një transformimi të rrezikshëm.
Valbona kishte krijuar kontakte ne internet me një terrorist të quajtur Selimovic Mendus, i cili vdiq më pas në luftime shkurtin e vitit 2015.
Përmes një agjensie udhëtimesh në Kosovë, thotë Corriere della Sera, ai i bleu biletat e udhëtimit për veten dhe djalin e më pas ajo nis nga aeroportit i Orio al Serios drejt Stambollit.
Hetuesit kanë gjurmuar edhe itinerarin e ndjekur prej saj për të mbërritur në Siri: pasi vuri këmbën në Turqi, iu bashkua një familjeje nga Bosnja e cila ishte nisur gjithashtu drejt zonës së luftës.
Ishte i shoqi, ai që denoncoi zhdukjen e saj dhe të djalit tek karabinierët. Afrimi kishte arritur dhe të komunikonte në telefon me të duke i kërkuar që të kthente Alvinin, gjithmonë sipas Corriere-s, por Valbona ishte përgjigjur: “Për të vdekur kemi gjithsesi“. Në fakt ajo vdiq në Siri më vonë, gjatë një sulmi ajror.