Thjeshtohet Matura Shtetërore 2019. Maturantët do të testohen në katër lëndë dhe jo në pesë sikundër ndodh deri më tani. Udhëzimi i miratuar nga Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë (MASR) dy ditë më parë ka të përcaktuar listën e re të lëndëve që do të jepen si provime të detyruara dhe me zgjedhje nga maturantët e vitit të ardhshëm.
Krahas tre provimeve të detyruara, maturantët do të zgjedhin të japin vetëm një lëndë si provim me zgjedhje, nga dy që janë deri në mbyllje të maturës së këtij viti. “Lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: provime të detyruara përkatësisht në lëndët Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, dhe Gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje”, saktësohet në udhëzimin e MASR.
Provimi i detyruar i gjuhës së huaj
Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim, testi i gjuhës së huaj që do të jepet si provim i detyruar (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë (gjimnazit) trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të studimeve të shkollës së mesme që maturanti kryen.
Lënda që do të jepet si provim i detyruar i gjuhës së huaj, do të përzgjidhet gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z. Për maturantët e viteve 2014-2018, që kanë rezultuar jokalues në provimin e detyruar të gjuhës së huaj, saktësohet se duhet që ta rijapin sërish këtë provim në maturën e vitit që vjen. Ndërsa për kandidatët e maturave të para vitit 2014, bëhet me dije se në rastin kur do të aplikojnë për plotësimin e formularit A1Z, nuk do të japin më provim të detyruar të gjuhës së huaj.
Provimet me zgjedhje
Gjithashtu, dikasteri i Arsimit ka përcaktuar listën zyrtare të lëndëve që do të jepen si provime me zgjedhje në maturën e ardhshme. Në total maturantët do të përzgjedhin ndërmjet tetë lëndëve të aprovuara. Konkretisht bëhet fjalë për këto lëndë: Kimi, Fizikë, Biologji, Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji, si dhe Ekonomi. Në këto kushte, nga kjo listë, maturantët do të zgjedhin vetëm një lëndë për ta dhënë si provim me zgjedhje, pavarësisht faktit nëse e kanë zhvilluar në shkollë apo jo.
Programet orientuese të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje
Po sipas udhëzimit të MASR, provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara për të gjithë kandidatët do të jenë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese të lëndëve me zgjedhje do të jenë njëjta për të gjithë maturantët që do të plotësojnë formularin A1 dhe A1Z në afatet e përcaktuara. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje. Në çdo rast duhet që maturanti të zgjedhë nga lista e lëndëve me zgjedhje vetëm një prej tyre, pavarësisht nëse e ka zhvilluar, ose jo, në shkollën e mesme që ka ndjekur.
Rregullat për “maturantët e vjetër”
Maturanti që ka dhënë dy, ose më shumë provime me zgjedhje dhe është vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se sa 4.50, i njihen ato provime dhe nuk do mund që t’i japë më. Ndërsa kandidati që rezulton që të jetë mbetës në të paktën një prej provimeve të detyruara të maturës duhet që t’i rijapë ato që të pajiset me diplomë të maturës.
Kushtet për maturantët e viteve 2013-2018
Në udhëzim specifikohet se për kandidatët të cilët në maturat e viteve 2013-2018 kanë zgjedhur për të dhënë dy provime me zgjedhje, ku kanë: “Mbetur në dy provime, në Maturën e 2019ës, do të japin vetëm një provim me zgjedhje të përcaktuar në listën e 8 lëndëve të miratuara”. Ndërsa kur rezultojnë kalues në një prej tyre do të pajisen me diplomë të maturës, çka do të thotë se nuk janë të detyruar që të japin më provime me zgjedhje.
Kushtet për maturantët e vitit 2013
Kandidatët që në Maturën Shtetërore 2013 kanë zgjedhur për të dhënë tre provime me zgjedhje dhe kanë mbetur në dy, ose tre, në maturën e vitit që vjen duhet të japin si provim me zgjedhje vetëm një lëndë, të cilën do të përcaktojnë nga lista e miratuar. Në rastet kur rezultojnë kalues në 2, ose më shumë prej tyre do të pajisen direkt me diplomën e Maturës, duke mos qenë më të detyruar për të dhënë provim tjetër me zgjedhje.
Kushtet për maturantët e para 2011-s
Autoritetet e MASR bëjnë me dije se kandidatët që janë pajisur me Dëftesë Pjekurie përpara vitit 2011, dhe që dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë do t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje, ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga njësitë arsimore vendore përkatëse. Këta kandidatë në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje, ose i kanë dhënë dhe nuk kanë rezultuar kalues, kanë të drejtë të japin një provim me zgjedhje vetëm në rastet kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë.