FJALIMI I AMBASADORES YURI KIM PËR FESTIMIN E 247 VJETORIT TË DITËS SË PAVARËSISË
Zoti President, ju falënderoj shumë për fjalët tuaja dashamirëse në emër të popullit shqiptar.
Zonja Kryetare e Kuvendit, shkëlqesi, të ftuar të nderuar, miq – faleminderit që na u bashkuat në festimin e 247-të vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Në themelimin tonë, amerikanët shpallën përmes Kushtetutës sonë se “Ne, Populli” dhe askush tjetër – asnjë mbret, asnjë gjeneral, asnjë sundimtar – askush përveç “Ne, Popullit” nuk ka pushtetin dhe të drejtën të vendosë se kush jemi, se çfarë duam dhe se cili do të jetë fati ynë.
Mund t’ju ndërmendet se iu drejtova këtyre fjalëve të mirënjohura të Kushtetutës Amerikane vitin e kaluar. Po i përsëris ato sonte, sepse ideja pas “Ne, Populli” është më e rëndësishme se kurrë më parë për të dy vendet tona dhe, në të vërtetë, për botën mbarë.
“Ne, Populli” është një deklaratë për veprimin dhe zgjedhjen në një demokraci: Ne pohojmë se “Ne, Populli” jemi burimi i pushtetit dhe çka ne zgjedhim ka më shumë rëndësi.
Do të doja të përqendrohesha këtë mbrëmje tek zgjedhja, e cila për nga nevoja ka të bëjë me të ardhmen. Mund të debatojmë për të kaluarën, por nuk mund ta ndryshojmë atë. Ne mundet veçse të zgjedhim se çfarë do të ndodhë më tej.
Nga të gjitha veprimtaritë në të cilat kam qenë pjesë apo kam pare nga të gjithë njerëzit në të 61 bashkitë që kam vizituar, anekënd këtij vendi të bukur të cilët i kam takuar gjatë tre viteve e gjysmë të fundit, për mua është e qartë se populli i Shqipërisë e ka bërë zgjedhjen e tij: të jetë i lirë dhe demokratik, të jetë ndër ato kombe që do të mbrojë lirinë dhe demokracinë e të tjerëve, për t’u siguruar që Shqipëria të mos fshihet kurrë nga kjo botë. Kështu, ju jeni si ne. Mendoj se këtë duhet ta ketë ndjerë Sekretari Baker kur tha nga sheshi Skënderbej në vitin 1991: “Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju!”.
Ashtu si amerikanët deklaruan zgjedhjen tonë në vitin 1776, shqiptarët deklaruan zgjedhjen e tyre në vitin 1991.
Amerikanët zgjodhën më 4 korrik 1776, të jenë të lirë; të besojnë se qytetarët janë burimi, jo subjekt i pushtetit të qeverisë; të angazhohen për të zgjedhur të ardhmen tonë çdo ditë për ta bërë bashkimin tonë më të përsosur; të pranojnë se jemi qenie njerëzore që herë pas here do bëjmë gabime, por që besojmë se për shkak se jemi amerikanë do të ngrihemi dhe do të provojmë sërish, dhe do të zgjedhim më mirë.
Tridhjetë e dy vjet më parë, shqiptarët, ju – si ne – zgjodhët të jeni të lirë; ju – si ne – vendosët që qytetarët janë burimi, jo subjekti, i pushtetit të qeverisë; ju – si ne – e dini se demokracia kërkon përkushtim dhe qëndrueshmëri; ju – si ne – dëshironi që fëmijët tuaj të jetojnë në një botë ku kanë një shans të barabartë për të ndjekur lumturinë; ju – si ne – jeni të gatshëm të bëni punën e vështirë për ta bërë të ardhmen më të mirë se e shkuara.
Nëse kam mësuar diçka nga koha ime në Shqipëri është se ne – amerikanë dhe shqiptarë – jemi njësoj në shumë mënyra, përfshirë në mënyrat më të rëndësishme. Shpresoj që populli amerikan dhe populli shqiptar, ta ruajmë gjithmonë këtë afrimitet. Dhe shpresoj që të gjithë do të shohin se ne – si ju – nuk do të dorëzohemi kurrë në kërkesën tonë për një të ardhme më të drejtë, më të fortë dhe më të begatë për të gjithë ne.
Dhe kjo mund të jetë mundësia ime e fundit për të parë disa prej jush ballë për ballë, dhe unë do të doja të shfrytëzoj rastin për t’ju shprehur mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ju për atë çka keni bërë. Jam mirënjohëse të di se secili prej jush po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për vendin tuaj. Unë mendoj se me çdo person këtu kam pasur një mosmarrëveshje apo një tjetër, me disa prej jush më shumë se me të tjerë, por unë ende besoj – ashtu si siç besoja që në fillim – është se ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Pra, faleminderit që jeni këtu sonte për të na u bashkuar në festë dhe ju falënderojmë për miqësinë dhe këshillat tuaja. Dhe do të shihemi në Uashington.
Faleminderit!