Kosova Borrell pas takimit me Kurtin dhe Vuçiç: Zgjedhje të reja sa më...

Borrell pas takimit me Kurtin dhe Vuçiç: Zgjedhje të reja sa më shpejt dhe me pjesëmarrje të plotë në Veri

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak zhvilluan këtë të enjte në Bruksel takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në një konferencë për mediat pas këtyre takimeve, që u mbajtën veç e veç, Josep Borrell tha se bashkë me Lajçak për më shumë se 4 orë, ishin përpjekur që të gjenin një zgjidhje që situata në veri të Kosovës të kthehet në normalitet dhe palët t’i rikthehen dialogut.

Borrell tha se kishte kërkuar nga të dyja palët mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat me shumicë serbe.

“Zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur dhe pas kësaj një moment që situata në terren të normalizohet të vazhdojmë me normalizimin për të vijuar me dialogun. Duhet të kthehemi te implementimi marrëveshje, pa asnjë vonesë”, tha mes të tjerash Borrell.

Në lidhje me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell tha se “nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës”.

Megjithatë, ai theksoi se “arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë e të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”.

Gjithashtu, Borell deklaroi t’i ketë thënë Vuçiçit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi “duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.

Ai po ashtu tha se kishte kërkuar nga pala serbe lirimin e menjëhershëm të 3 policëve të Kosovës.