Kam lindur në vitin 1984, i përkas brezit as andej e as këtej. Por, e them me bindje të plotë, se ne jemi “alienët” e fundit, të edukuar, altruist dhe të mirë. Mbaj mend fëmijërinë time, të rrëkëllyer në problemet që kishin të gjithë shqiptarët e atyre viteve, me fytyrën e vrarë nga dielli, me xhinset e vetme që kishim për të shkuar në shkollë. Fëmijë të urtë, ose e thënë më mirë të disiplinuar brenda shinave të mirësjelljes që prindërit na drejtonin çdo ditë.
Gjeneratat që na pasojnë demonstrojnë emocione negative, egoizëm dhe keqedukim.
Në kohën time kur hipte në autobus një i moshuar nxitonim t’i lironim vendin. E njëjta gjë ndodhte sa herë shikonim një grua shtatëzanë, apo person me handikap. Sot ndodh krejtësisht e kundërta, jo vetëm që nuk lirohet vendi, por me një shikim të rrufetë duket sikur thonë biletën e paguajmë edhe ne.
Të rinjtë sot, këtu fus edhe një pjesë të madhe të rrethmoshës time, vishen në të njëjtën mënyrë, flasin të gjithë njëlloj, i presin flokët në të njëjtin model. Flasin për seksin me të njëjtën liri siç mund të bënin për sportin apo një film të bukur. Pasioni dhe ndjenjat duken 0. Tymosin e ndajnë cigaren me njëri-tjetrin si çamçakëz që ne shkërmoqnim për të luajtur të gjithë me flluskat. Sot, nuk ka interes nëse miku i ngushtë humbet punën, nëse komshiu ka probleme me shëndetin, a nëse dikush nuk arrin të ushqehet. Duket sikur asgjë dhe asnjë nuk intereson më.
Të rinjtë më japin përshtypjen sikur jetojnë brenda një kubi të vulosur aq fort, sa nuk arrijnë të ndiejnë aromë, shije, zhurmë a jetë.
Jemi bërë të gjithë nga pak të keq, egoist, asnjanës. Kemi humbur vlerat më të rëndësishme njerëzore. Vrapojmë pas lekëve, suksesit e kënaqësive të çastit duke harruar se një fjalë e mirë, një përkëdhelje, a një moment i ndarë me njerëzit që duam nuk ka çmim.
Çdo ditë e më tepër, teksa eci në rrugë, flas me dikë, tek shikoj një familje të ‘shthurur’, kam ndjesinë se bota po përfundon me të vërtetë në një humnerë të thellë.