Tik Tok mund të jetë shkaktari Nr. 1 i orëve të tëra pa gjumë – por tani ai duket se po kërkon të ofrojë një zgjidhje.
Doktorët konvencional por edhe guru-t e shëndetit janë investuar prej vitesh në gjetjen e një kure duke filluar nga leximi i një libri, çaktivizimi nga çdo lloj pajisje elektronike për disa orë para gjumit apo edhe rregulli i artë i ngrënies së darkës para orës 6.
Së fundmi ama, është pikërisht aplikacioni i njohur për videot virale, Tik Tok – i cili po kërkon t’i japë zgjidhje një problemi për të cilin ai mund të jetë kontribuuesi kryesor!
@justin_agustin Technique to falling asleep in 2 minutes! Insp. AsapSCIENCE on YT #sleep #fallasleep #insomnia #insomniac #learnontiktok #howto ♬ You – Petit Biscuit
Një nga trendet më të reja që është bërë virale në Tik Tok është një teknikë që i premton njerëzve të bien në gjumë për vetëm 2 minuta.
Si funksionon?
Me rreth 11 milionë shikime, ky trend njihet si ‘Teknika Ushtarake’ apo Military Technique – kjo pasi ai thuhet të jetë formuluar nga Pilotët e Ushtrisë Amerikane për t’i ndihmuar ata të bien në gjumë shpejt që të zgjohen herët.
Hapi i parë është relaksimi i çdo pjese të trupit, duke nisur nga muskujt e fytyrës deri tek gishtat e këmbës. Dhe për ta bërë këtë mund të ndiqni hapat e mëposhtëm:
Pasi të shtriheni në shtrat merrni frymë thellë dhe mundohuni të relaksoni çdo pjesë të trupit.
Nisni me muskujt e ballit, më pas me kapakët e syve, nofullën dhe gjuhën. Relaksoni shpatullat duke lënë krahët dhe duart të qëndrojnë lirshëm në secilën anë.
Më pas, imagjinoni një “ndjesi të ngrohtë” që ju përshkon nga koka tek majat e gishtave.
Relaksoni kraharorin tuaj duke marrë frymë thellë dhe nxjerrë.
Më pas vazhdoni me këmbët, relaksoni kofshët, pulpat, kyçet dhe së fundmi këmbët dhe gishtat e këmbëve.
Ky duhet të jetë fokusi kryesor dhe pasi të kemi bërë këtë, hapi i dytë është relaksimi i mendjes.
Kur trupi të jetë relaksuar plotësisht, ajo që na mbetet është të “pastrojmë” mendjen nga çdo lloj mendimi. Diçka që vjen në ndihmë është të vizualizojmë një peizazh apo pamje relaksuese.
Nëse kjo nuk funksiono, hapi i fundit është të përsërisim frazën ‘mos mendo’ për 10 sekonda, dhe presupozohet që nëse e provoni këtë, pas 10 sekondash ju do t’ju ketë zënë gjumi.
Pro dhe kundër
Ekspert i mirëqenies dhe gjumit nga eve Sleep, Dave Gibson, ka dhënë komentin tij mbi këtë metodë dhe sipas tij, ka diçka të vërtetë në këtë metodë por disa prej hapave mund të kenë efektin e kundërt tek disa njerëz.
“Kjo teknikë bën sens deri në një farë pikë, sepse duke lehtësuar çdo lloj tensioni në trup, ju lejoni në të njëjtën kohë edhe trupin edhe mendjen të relaksohen tërësisht – gjë që sigurisht ndihmon me përgjumjen. Vizualizimi është gjithashtu një teknikë që është provuar të funksionojnë pasi është një mënyrë e mirë për ta ç ‘fokusuar mendjen nga gjërat e tjera që kanë ndodhur gjatë ditës.
Por – nëse kjo nuk funksionon, këshilla tjetër është të përsërisësh fjalën ‘mos mendo’ për 10 sekonda dhe kjo nuk do të funksionojë për këdo. Përse? Sepse fikja e mendjes është diçka e vështirë dhe jo çdokush mund ta bëjë me lehtësi. Ideja e përsëritjes së frazës ‘mos mendo’ mund të ketë edhe efektin e kundërt duke e detyruar mendjen ta perceptojë si presion.” – shpjegon ai.
Por sipas Dave, kjo teknikë mund të kërkojë pak kohë që të perfeksionohet por ja vlen të provohet.
Një teknikë alternative
Së fundmi, ai jep sugjerimin e tij personal që mund të funksionojë për ju – edhe pse është më pak viral.
“Nëse nuk doni ta provoni këtë trend, këshilla ime do të ishte të praktikoni deri sa ta bëni tuajën, teknikën e frymëmarrjes – duke e nxjerrë frymën për një kohë më të gjatë nga sa e marrim.
Pra, praktikoni intervale të mbushjes me frymë për pak sekonda dhe nxjerrjes së saj për disa sekonda më gjatë. Kjo rregullon rrahjet e zemrës dhe ndihmon në uljen e tyre duke relaksuar gjithashtu të gjithë sistemin nervor”, përfundoi ai.