Bota Në gjurmët e pacientit zero, kush ishte dhe si e fshehu fillimisht...

Në gjurmët e pacientit zero, kush ishte dhe si e fshehu fillimisht Kina virusin e panjohur

Gjurmët më të hershme të virusit Covid-19 janë më 17 nëntor, sipas të dhënave të qeverisë kineze, të cilës i referohet “South China Morning Post”.

Autoritetet kineze deri më tani kanë identifikuar të paktën 266 persona që ishin infektuar vitin e kaluar, të cilët u mbajtën nën vëzhgimin e mjekëve në një moment të infektimit.

Intervistat me monitoruesit e komunitetit mjekësor sugjerojnë se mjekët kinezë e kuptuan se kishin të bënin me një sëmundje të re vetëm në fund të dhjetorit.

Shkencëtarët janë përpjekur të hartojnë një skemë të transmetimit të hershëm të Covid-19, pasi epidemia u raportua në qytetin qendror të Kinës, Vuhan, në janar, dy muaj para se shpërthimi të kthehej në globale shëndetësore.

Të kuptuarit e mënyrës se si përhapet sëmundja dhe gjetja se sa raste të pazbuluara dhe të padokumentuara kanë kontribuar në transmetimin e saj, do të thellojnë njohjen e përmasave që ka ky kërcënim.

Sipas të dhënave të qeverisë, të cilës i referohet “Post”, një 55-vjeçar nga provinca Hubei mund të ketë qenë personi i parë që kishte kontraktuar Covid-19 në 17 nëntor.

Nga ajo datë e më pas, janë raportuar 1-5 raste të reja çdo ditë. Deri në 15 dhjetor, numri i përgjithshëm i infeksioneve ishte 27, – rritja e parë dyshifrore ditore u raportua në 17 dhjetor – dhe deri në 20 dhjetor, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara kishte arritur në 60.

Më 27 dhjetor, Zhang Jixian, një mjek nga Spitali i Mjekësisë së Integruar dhe asaj Perëndimore në provincën Hubei, u tha autoriteteve shëndetësore të Kinës se sëmundja ishte shkaktuar nga një koronavirus i ri. Deri në atë datë, më shumë se 180 njerëz ishin infektuar, megjithëse mjekët mund të mos kishin qenë të vetëdijshëm për të gjithë në atë kohë.

Deri në ditën e fundit të 2019, numri i rasteve të konfirmuara ishte rritur në 266. Në ditën e parë të vitit 2020, ai ishte në 381.

Ndërsa qeveria nuk i ka bërë të ditura për publikun shifrat e sëmundjes, ato konsiderohen shumë të vlefshme, pasi shpjegojnë se si sëmundja përhapet në ditët e para dhe cila është shpejtësia e transmetimit.

Shkencëtarët tani janë të prirur të identifikojnë të ashtuquajturin pacient zero, i cili mund t’i ndihmojë ata të gjurmojnë burimin e koronavirusit, që përgjithësisht mendohet se u kalua te njerëzit nga një kafshë e egër, ndoshta një lakuriq.

Nga nëntë rastet e para që u raportuan në nëntor – katër burra dhe pesë gra – asnjë nuk është konfirmuar si “pacienti zero”. Ata të gjithë ishin të moshës midis 39 dhe 79 vjeç, por nuk dihet se sa prej tyre ishin banorë të Vuhanit, kryeqyteti i Hubeit dhe epiqendra e shpërthimit.

Sipas faqes zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetit, rasti i parë i konfirmuar me Covid-19 në Kinë ishte në 8 dhjetor, por agjencia globale nuk e gjurmon vetë sëmundjen por mbështetet tek informacionet e dërguara nga secili vend.

Një raport i botuar në revistën mjekësore “Lancet” nga mjekë kinezë nga Spitali Jinyintan në Vuhan, ku u trajtuan pacientët e parë, e vendos datën e infeksionit të parë të njohur në 1 dhjetor.

Dr Ai Fen, i pari që foli për një sëmundje të re, i tha revistës “People” në një intervistë që u censurua më vonë, se testet treguan se një pacient në Spitalin Qendror Vuhan u diagnostikua në 16 dhjetor si i infektuari i parë nga një virus i panjohur.

Regjistrimet që kanë mbajtur mjekë të tjerë sugjerojnë se komuniteti mjekësor në Vuhan u bë i vetëdijshëm për sëmundjen e re në fund të dhjetorit.

Raportime të mëparshme thonë që megjithëse mjekët në qytet mblodhën mostra nga raste të dyshuara në fund të dhjetorit, ata nuk mund të konfirmonin gjetjet e tyre sepse u penguan nga burokracitë, siç ishte p.sh. marrja e aprovimit nga Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për të cilin mund të duhen ditë të tëra. Ata gjithashtu u urdhëruan që të mos publikojnë asnjë informacion në lidhje me sëmundjen e re për publikun.

Deri në 11 janar, autoritetet shëndetësore të Vuhan ende pretendonin se kishte vetëm 41 raste të konfirmuara.