Nga Armand Plaka
Në Arkivën Shtetërore Fotografike të Austrisë, në fondin që lidhet me Luftën e Parë, e përkatësisht me frontin shqiptar, një foto shumë interesante që hasa para shumë kohëve më bëri t’i rikthehem sërish me këmbëngulje.
Më konkretisht, foto që po botoj në këtë postim, na dëshmon prezencën dhe interesin e njërit prej skulptorëve, dizenjatorëve e heraldëve më të famshëm vjenezë të kohës, Carl Maria Schwerdtner (1874-1916) në muajt e fundit të jetës, ndërsa po përmbush misionin e tij duke marrë për model një malësor shqiptar.
Nga skeda origjinale nuk ka bëhet e ditur saktësisht se ku është duke pozuar subjekti, i ndjekur me interes nga Prof. Schwerdtner dhe dishepujt e tij, por na bëhet i ditur qyteti, dmth Shkodra si dhe viti, 1916.
Pas indicieve që më dhanë një grup i vogël artdashësish austriakë, të cilët pata rastin t’i shoqëroj pak kohë më parë, më rezulton se Profesor Schwerdtner, lindi në Vienë më 27.5.1874 ( ku edhe ndërroi jetë në vitin 1916) dhe në vitin 1892–97 ai ndoqi studimet në Akademinë e Arteve në Vienë, pas të cilave ndërmori një sërë udhëtimesh nëpër Europë për të njohur më mirë traditat dhe zakonet e popujve e krahinave të ndryshme.
Pas kthimit në atdhe ai punoi në atelienë Benk para se në vitin 1900 të shkonte sërish në Gjermani, Belgjikë Francë dhe Londër. Ndërsa kthehet sërish në vendlindje, në Vjenë ai çel atelienë e tij ku spikatën skulpturat e tij të veçanta dhe arti heraldik në medalje e medalione. Ai punoi shumë edhe në gips, bronz, hekur, gurë e mermer.
I përfshirë në atë që njihej tashmë si “Lufta Patriotike” ( Lufta e Madhe dmth Lufta e Parë Botërore) ai ishte autor i shumë veprave në vitet 1914-1916 si dizenjator i medaljeve të luftës dhe u shfrytëzua edhe nga shtypi ditor për hartimin e stampimin e skicave, gravurave e imazheve që lidheshin me luftën.
Në këtë kuadër, ai u dërgua përkohësisht edhe në Shqipëri, në Shkodër, ku ishte qendra e Komandës së Trupave Austro-Hungareze në Shqipëri, ku ai ndër të tjera regjistroi edhe skulptura, portrete e figura malësorësh, të cilët duhet të përbëjnë tashmë një objekt të mirëfilltë kërkimor për të dokumentuar më mirë pjesën që lidhet më Shqipërinë.