Kulturë Ne ikim, por kësaj vajze angleze Shqipëria i duket vendi më i...

Ne ikim, por kësaj vajze angleze Shqipëria i duket vendi më i bukur në botë

Entela Resuli 

Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri kishte planifikuar të qëndronte vetëm një fundjavë, por jo, planet nuk shkuan kështu. Ajo qëndroi tre javë.

U shkëput disa ditë, u kthye përsëri në Shqipëri dhe vendosi të jetonte këtu.

Alice Taylor, ka lindur në Angli, por vendi i saj i është dukur gjithmonë i mërzitshëm.

Pas disa përvojave në vende të ndryshme të botës, ajo ka ndalur në Shqipëri.

Alice është diplomuar për ligj, më shumë njihet si shkrimtare, gazetare dhe drejtuese e blogut “The Balkanista”.

Shqipëria, përveçse e bëri për vete për nga origjinaliteti dhe bukuria natyrore, një tjetër arsye e ka bërë që të mbahet fort pas këtij vendi.

Vajza nga Anglia ka ardhur nuse në Shqipëri!

Ajo është martuar me një shqiptar dhe pret të bëhet nënë e një vajze.

Marrëdhënia e saj me Shqipërinë e ka një zanafillë, kështu që nëpërmjet kësaj interviste në Dita, ne kemi njohur më shumë Alicen.

Ajo na ka treguar disa aspekte të Shqipërisë që ndoshta për shkak të rutinës së përditshme, ne që jetojmë këtu nuk i shohim si vlera.

Erdha me pushime për 3 ditë dhe kjo u kthye në 3 javë. Gjatë kësaj kohe, bëra miq dhe filloi të më tërhiqte vendi, njerëzit dhe kultura. Kur erdhi koha të largohesha, ndihesha e mbushur me një trishtim të madh dhe aty e kuptova që duhet të zhvendosesha në Shqipëri. Dhe atë bëra. Është me shumë mundësi vendimi më i mirë që kam marrë dhe nuk mund ta imagjinoj si do të ishte jeta ime nëse nuk do ta kisha zbuluar këtë vend fantastik”- na tregon Alice, e cila këto ditë është në pritje të ëmbël.

Alice dhe çfarë pëlqen ajo më shumë nga Shqipëria vijnë në këtë intervistë.

-Cila është gjëja juaj e preferuar e të jetuarit dhe punuarit në Shqipëri?

Më pëlqen Shqipëria sepse është ende një vend i padëmtuar dhe i pa prekur. Për mua është kufiri i fundit i egër i Evropës dhe shpresoj që të mbetet kështu! I dua fshatrat dhe natyrën dhe më pëlqen veçantia që ka secili qytet.

Unë vetëm shpresoj që të ndalohet zhvillimi dhe shkatërrimi i asaj që i thonë karakteri i vendit – pasi nëse humbni origjinalitetin, është e vështirë ta ktheni përsëri atë.

E di që ndërtesat e reja duhet të ndërtohen, por unë besoj se ato duhet të jenë në përputhje me ndërtesat rreth tyre, të hartuara nga arkitektë lokalë dhe jo të ndërtuara në ndërtesat e tjera historike ose në tokën publike.

Shpresoj gjithashtu së është e nevojshme të tregohet më shumë kujdes për fshatrat, si dhe për të ndaluar ndotjen e tyre nga mbeturinat, dhe për të ndaluar ndërtimet dhe zhvillimet të panevojshme. Një tjetër problem janë hidrocentralet të cilat nuk duhet të ngrihen në zonat e mbrojtura.

Dua të jetoj këtu sepse njerëzit janë miqësorë, ushqimi është i mirë dhe gjithmonë ka diçka interesante për të parë, për të bërë ose për të mësuar. Shqipëria është një gur i çmuar për kulturën, historinë dhe bukurit natyrore – duhet të mos e shkatërrojmë!

-Si keni ardhur dhe keni zbuluar Shqipërinë, keni një histori për këtë pjesë?

Erdha këtu për një fundjavë tre-ditore dhe e zgjata qëndrimin tim deri në tre javë.

E desha menjëherë këtë vend dhe nuk doja të largohesha, kështu që vendosa të vij e të jetoj këtu.

U largova vetëm për dy javë që të mbyllja disa punë dhe ktheva për mirë në Nëntor të vitit 2017.

Unë jam shkruese e lirë dhe gazetare e pavarur, kështu që, unë mund të punoj kudo për sa kohë që kam kompjuterin tim dhe një lidhje interneti.

U largova nga Anglia 12 vjet më parë për shkak të mënyrës së mërzitshme dhe depresive të jetës dhe kam jetuar në disa vende të botës që nga ajo kohë.

Shqipëria është e preferuara ime – tani jam martuar me një burrë shqiptar dhe pres të bëhem nënë e një vajzë në muajin qershor – mendoj se kjo më bën gati shqiptare tani apo jo?!

-Cila është gjëja më pozitive që keni zbuluar për Shqipërinë?

Ky vend i kaloi të gjitha pritshmëritë e mia! Nuk kam pasur asnjë paragjykim kur kam ardhur këtu, por nuk e prisja që ky vend të ishte aq e bukur dhe mirëpritëse. Një nga gjërat më pozitive në lidhje me Shqipërinë, për mua është elasticiteti dhe forca e popullit tuaj.

Shqiptarët janë njerëz që ambientohen lehtësisht, që kanë një kulturë interesante dhe njerëzit më krenarë dhe mikpritës që kam takuar ndonjëherë.

Më pëlqen të shoh dhe të flas me gratë dhe burrat e moshuar – rrudhat në fytyrat e tyre, tregojnë për historitë që ata kanë dhe për të cilat kanë vuajtur, por ajo që është pozitive është se ende e kanë një buzëqeshje dhe një fjalë të mirë për të thënë qoftë edhe një të huaji të çuditshëm.

Një plagë të madhe e ka lënë edhe regjimi i kaluar ku njerëzit teksa kujtojnë vuajtjet janë akoma të pikëlluar dhe zemërthyer. Shqipëria duhet të shërohet nga plagët e së kaluarës dhe shpresoj që kjo do të ndodhë më shpejt se sa vonë – por është e rëndësishme që mos harrohet kurrë.

Gjithashtu e dua konceptin shqiptar të mikpritjes. Është një nga gjërat më të mrekullueshme të traditës shqiptare dhe shpresoj që brezat e rinj ta ruajnë këtë vlerë të çmuar që keni.

-Cili lloj udhëtareje jeni? Jeni lloji i turistit që preferoni ushqimin, jeni turist shëtitës, aventurier, apo ju pëlqen qëndrimin në plazhe?

Të gjitha! Unë udhëtoj dhe punoj në të njëjtën kohë – marrim një makinë me qira, ose hipi pas motoçikletës së partnerit dhe shkojmë drejt fshatit.

Shpesh qëndrojmë në një hotel, ose më shpesh, në bujtina të vogla (preferoj një përvojë autentike) dhe pastaj kaloj kohën duke eksploruar, duke marrë pamje, duke shkrepur fotografi dhe duke pushuar.

Po, më pëlqen të shtrihem në një plazh e shoqëruar nga një koktej. Më pëlqen të eci. Të intervistoj njerëz interesantë dhe të shoh vende historike.

Zgjohem rreth orës 7 të mëngjesit kur udhëtoj – punoj deri në 12 dhe pastaj dita është e gjitha në funksion të dëshirave që kemi shpesh si shoqëri!

-Cili është ushqimi yt i preferuar në Shqipëri?

Unë nuk zgjedh vetëm një gjë. Ajo që dua të them është se më pëlqen të blej ushqime në Shqipëri. Më pëlqen të blej nga dyqanet dhe fermerët lokalë, të blej produkte të freskëta dhe sezonale dhe të përpiqem t’i gatuaj siç bëjnë vendasit!

-Nga çka keni parë në Shqipëri, cili është vendi që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Qarku i Shkodrës – liqeni, lumenjtë, deti, malet, qyteti, kalaja dhe natyrisht Theth. Kjo është një nga pjesët më të bukura të botës. E dua Beratin për historinë, pikëpamjet dhe njerëzit, dhe Drymadhes për një pushim të gjatë, në sezonin veror!

– Disa njerëz mendojnë Shqipëria është një vend i pasigurt për të udhëtuar. Çfarë do t’i thonit atyre për t’i ndryshuar mendim?

Nëse ata mendojnë se Shqipëria është një vend i pasigurt për të udhëtuar, ata me siguri nuk kanë bërë kërkimet e duhura dhe nuk kanë informacion të saktë.

Kam jetuar në vende të tjera dhe kam udhëtuar shumë më tepër dhe mund të them se Shqipëria është më e sigurt se gjithë vendet që kam shkelur.

Unë nuk jam e përfshirë në drogë apo krime të organizuara kështu që nuk ka asnjë kërcënim për mua.

Ngacmimet në rrugë janë më pak se çdo kund tjetër, ka siguri edhe gjatë natës, dhe krimi oportunist është më i vogël. Në pothuajse 18 muaj që unë jam këtu nuk jam ndjerë asnjëherë e rrezikuar. Rreziku i vetëm nëse vini në Shqipëri, është sikurse unë, ndoshta nuk do të largoheni kurrë!

-E mendoni qëndrimin në Shqipëri për shumë gjatë?

Pse do doja të shkoja diku tjetër? Nuk do kthehesha në Angli dhe kam kaluar një dekadë në Maltë, kështu që nuk ka më asgjë aty për mua. E dashuroj jetën në Shqipëri dhe nuk kam asnjë plan të largohem.

-Keni një mendim për Tiranën?

Është i vetmi kryeqytet të cilin kam vizituar që ka ende pak shpirt dhe origjinalitet në të. Nuk mund ta konfuzoni me asnjë vend tjetër dhe nuk është i mbushur me qendra tregtare, Starbucks apo ndërtesa që ta bëjnë të duket si kudo tjetër. Tirana ka një energji që e bën të pakrahasueshme me vendet e tjera në të cilat kam qenë.

-Udhëtimet shpesh të japin eksperienca te vlefshme dhe të bëjnë më të fortë, çfarë mund të na thoni për këtë pjesë?

Si fillim, nuk ka rëndësi nëse vuani në jetë, mundeni ta kaloni atë dhe madje të përdorni eksperiencat tuaja për t’ju fuqizuar teksa ecni përpara. Gjithashtu, për sa i përket punës, njerëzit duhet të kuptojnë që janë vetë ata “zot” të fatit të tyre. Mos rrini duke pritur për punë, mos prisni që jeta t’ju ofrohet në një pjatë argjendi, duhet të punoni për të dhe ka kaq shumë gjëra që mund të bëni. Duhet thjesht të shkoni dhe t’i arrini. Nuk jeni më të kufizuar nga kufijtë gjeografikë, me internetin nuk ka më asnjë limit për atë çka mund të arrish. Në këtë kohë, nuk ka thuajse asnjë justifikim për të mos pasur një qëllim në jetë- nëse nuk jeni të motivuar, çohuni dhe motivoni veten tuaj.