Janë 707,167 persona që janë pajisur në të gjithë vendin me autorizim për të bërë pazar në 90 minutat e lejuara gjatë paradites. Qeveria ka marrë masa të ashpra për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve për shkak të koronavirusit, por përgjigjja nuk është ajo që pritet.
Shifra e lartë e autorizimeve tregon se qytetarët po kërkojnë një sebep për të dalë nga shtëpitë, ndonëse mjekët përsërisin pa pushim se duhen shmangur kontaktet në mënyrë që të këputet zinxhiri transmetues i COVID-19.
“Nga data 29 mars, kur nisi zbatimi i shërbimit elektronik “Leje për dalje” në total janë lëshuar 707 167 autorizime, ndërkohë që shifrat çdo ditë e në rritje tregojnë se qytetarët besuan në portalin e-Albania dhe në procedurën e thjeshtë të përdorimit të këtij shërbimi”, ka bërë me dije për ‘Atsh’ Mirlinda Karçanaj, Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Ditën e sotme u raportua se numri i personave të infektuar me koronavirus në Shqipëri ka arritur në 383, ndërkohë që viktimat e regjistruara janë 22.