Minatorët rusë rrezikojnë jetët e tyre çdo ditë, por fitojnë edhe shumë para, duke zbuluar dhëmbë të mamuthëve parahistorikë, të cilët më pas i sheshin në tregun e zi. Dhëmbët prej fildishi janë të ruajtur thuajse të paprekur nga ngrica e Arktikut dhe kërkesa për to në Azi është tej mase e lartë.
Ata gërmojnë tunele deri në 60 metra në thellësi të kodrave pranë lumit Yakutia, thuajse 7000 km larg Moskës. Dhëmbët, që quhen edhe ari i bardhë, mund të shiten deri në 1 milionë dollarë secili, nëse janë të pathyer.
Minatorët kalojnë rreth pesë muaj duke kërkuar për këto mbetje “luksoze” në tokën e egër të Rusisë. Ata kërkojnë edhe për dhëmbët e rinocerontëve leshatorë, të cilët shiten për aq ar sa edhe peshojnë dhe janë shumë të kërkuar në Vietnam ku përdoren si mjekim.
Një fotograf i “Radio Europa e Lirë” ka kaluar me minatorët muajt e verës dhe përmes fotove ka rrëfyer jetën e tyre të mundimshme, por me shpërblim të majmë, të paktën për pak fatlumë. Pavarësisht vështirësive që kalojnë, sipas statistikave vetëm 20-30% e minatorëve arrijnë të gjejnë diçka prej së cilës arrijnë të nxjerrin fitim.
Mamuthët ishin zotër të pyjeve të egra të Rusisë deri sa nisën të pakësoheshin në numër 10000 vite më parë, për t’u zhdukur plotësisht si specie nga planeti ynë më shumë se 4000 vite më parë.