Shkolla e fshatit Shtëpëz është një nga institucionet arsimore që ka hapur dyert në vitin e ri mësimor, 2023-2024, në Bashkinë e Gjirokastrës. Kjo shkollë është vetëm 15 km larg nga Gjirokastra, por duket sikur është në një tjetër realitet.
Dikur, kësaj godine ia shtonin ngjyrat dhe gjallërinë zërat e nxënësve, por edhe këto po mungojnë. Diljani është i vetmi nxënës në klasën e parë në këtë shkollë. Ndryshe nga sa e kishte imagjinuar, si shok banke ka gjyshen e tij.
Në klasë vjen edhe një vajzë e klasës së dytë dhe një djalë në ciklin parashkollor, duke plotësuar numrin maksimal të nxënësve.
Mësuesja e shkollës shpreson që familjarët e saj, banorët e fshatit dhe në fund bashkia, të kthejnë sytë dhe të ndihmojnë me çfarë të munden për të përshtatur më mirë ambientet e kësaj godine si një shkollë.
Fshati Shtëpëz ka 120 familje, por kushtet e shkollës kanë bërë që shumica e tyre t’i dërgojnë fëmijët në shkollat e qytetit të Gjirokastrës./A2CNN