Sport Dy gola magjikë në 5 sfida më Kombëtaren: Jasir Asani, zbulimi i...

Dy gola magjikë në 5 sfida më Kombëtaren: Jasir Asani, zbulimi i Sylvinhos

Jasir Asani është zbulimi i këtyre eliminatoreve të ‘Euro2024’ në radhët e kombëtares shqiptare. Mesfushori me tipare sulmuese u thirr për herë të parë në fillimin e këtyre kualifikueseve, duke qenë i pari i thirrur nga trajneri Sylvinho.

Dy supergola në pesë duele me fanellën kuqezi, njëri më i bukur se tjetri i dhuruan fitore të rëndësishme kombëtares shqiptare. Sa herë që ai shënon, Shqipëria fiton 2-0, diçka që e bëri kundër Moldavisë dhe tashmë me Poloninë. Realizimi përballë moldavëve u zgjodh si goli më i bukur i raundit nga UEFA.

Asani është ndër lojtarët që sakrifikon shumë për të mbërritur në grumbullimin e kombëtares. 28-vjeçari luan me Gwangju në Korenë e Jugut, aty ku po kalon një formë fantastike dhe që po e tregon edhe me kombëtaren.

Goditjet spektakolare nga jashtë zonës, shkupjani na ka mësuar t’i shikojmë edhe në të shkuarën, mes të cilave edhe në Superligën Shqiptare. Me fanellën e Partizanit, Jasir Asani ishte fenomenal, pasi shënoi 23 gola, duke e shfrytëzuar si trampolinë për të firmosur me AIK në Suedi dhe më pas te Kisvarda në Hungari. Tashmë me Gwangju, Asani ka luajtur 26 sfida për të festuar 7 gola e 3 asiste.