Kryesore Në lagjen ‘kryeqendër’ të trafikut të drogës në Romë, aty ku mafia...

Në lagjen ‘kryeqendër’ të trafikut të drogës në Romë, aty ku mafia shqiptare organizon gjithçka

San Basilio është një nga lagjet periferike të Romës, lagje popullore në verilindje, e banuar më së shumti nga punëtorë, me pallate që ngjasojnë më shumë me ndërtesat e Europës Lindore sesa me arkitekturën e kryeqytetit italian.

Por vitet e fundit ajo është shndërruar në një nga më të përmendurat, si kryeqendër e trafikut të lëndëve narkotike. Një pikë referimi, bashkë me lagjen Tor Bella Monaca, që ndodhet më në jug, për të gjithë ata që dëshirojnë drogën, në çfarëdolloj sasie. Kokainë, heroinë, marijuanë, gjendet gjithçka, familjet e lidhura me Kamorrën ose Ndragetën i kanë ndarë zonat në mënyrë të prerë, por tensionet për kontrollin dhe supremacinë vijon çdo ditë, me përballje të dhunshme, vrasje dhe rrëmbime, si ajo e ditëve të fundit të një 20-vjeçari, djali i bosit Danilo Valeri në një lokal në mes të Romes, nga disa persona me origjinë afrikane, që punonin për familjet kundërshtare.

Hakmarrjet dhe operacionet e policisë kanë ndryshuar gjithsesi balancat e pushtetit në këtë lagje, dhe sipas autoriteteve italiane, janë bandat shqiptare që po marrin gjithnjë e më shumë rendësi, siç tregon edhe një raportim i gjatë për çështjen nga e përditshmja “La Republica”.

Nga “ushtarë” të rangut të ulët të familjeve mafioze si Bevilacqua, Cordaro, Marando ose Esposito, shqiptarët kane arritur të ngjisin hierarkinë duke folur dhe bërë biznes si të barabartë me pothuajse të gjithë. Emri më i njohur është ai i Elvis Demçes, bosit shqiptar që tashmë vuan 18 vjet burg.

Kjo lagje relativisht e varfër gjeneron dhjetëra miliona euro nga shitblerja e drogës, dhe ka rafinuar sistemin e përgjimit dhe të shpërndarjes, në mënyrë që e bën pothuajse të pamundur për forcat e rendit për të bllokuar fenomenin. Çelësi i suksesit të bandave është përfshirja e rezidentëve.

“Rojet kanë grupet e tyre në rrjetet sociale, ku përdorin terma si Fanta për Guardia di Finanza, Coca Cola për karabinierët dhe Pepsi për policët, kur forcat e rendit i afrohen bazave te drogës. Paguhen 200 euro në ditë për këtë. Shpërndarësit zgjidhen ndërkohë nga banorë me aftësi ndryshe, të moshuar, që sigurojnë deri në 1500 euro në muaj, një rrogë e mirë”, përshkruhet ne të përditshmen italiane. Ata që nuk i binden pagesës, ose vonojnë huamarrjet, nuk i shmangen dot përballjes me shqiptarët e punësuar, tashmë aleatë, të bosave italianë.