Një 27-vjeçar i arrestua nga Interpol Athina është ekstraduar sot nga Greqia, falë bashkëpunimit me Interpol Tirana. Leo Roçi, 27 vjeç, banues në Peshkopi/Dibër është i dënuar me 7 vjet burg.
“Leo Roçi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë me datë 06.12.2017 e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet burg për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë””, njofton policia.
Ngjarja për të cilën akuzohet Roçi ka ndodhur më 11 janar të 2015, teksa ai në bashkëpunim me shtetas të tjerë kanë tentuar të vjedhin me dhunë banesën e shtetasit A.V..
“Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë”, sqaron policia.
Emri i të riut rezulton të jetë edhe në listë e “zezë” të policisë së Shtetit për qarkun e Dibrës.