Trajneri i Shqipërisë sqaron listën e të grumbulluarve: Gjimshiti i dëmtuar, luaj me dy sulmues në Islandë. Synojmë kualifikimin në Europian
Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, foli mesditën e së martës para gazetarëve në lidhje me listën zyrtare të FSHF-së. Ai ka dhënë mendimet e tij të para në lidhje me ndeshjet kundër Islandës dhe Moldavisë.
Numri një i stolit ka folur dhe në lidhje me mungesën e Gjimshitit. Mbrojtësi i Atalantës do të operohet, pasi ka luajtur i dëmtuar nën urdhrat e trajnerit Gasperini.
Lista: “Kam kthyer lojtarë të De Biasit, dhe kam lojtarë të tjerë Panuccit, por më duhet kohë t’i njoh. Kam parë të rinj dhe 4 lojtarë të Partizanit dhe janë lojtarë të tjerë që kam parë dhe më pas i kam kthyer. Vrionin e kam parë, por më pas e ktheva, pasi nuk kishte gjendjen e duhur. Duhet durim për këto dy ndeshje që kemi. Kam listë me 35 lojtarë”.
Niveli dhe objektivat: “Objektivin e dimë të gjithë. Duam të shkojmë në Europian. Vetëm dy janë skuadrat që shkojnë në Europian. Ne duhet të punojmë që të shkojmë në Europian. Ne duhet të punojmë më shumë me mbrojtjen dhe më pas të zgjidhim anën e sulmit. Kemi patur probleme me mbrojtjen. Shqiptarët jetojnë me futbollin dhe kemi mbështetjen. Lojtarët duhet të japin maksimumin kur vijnë dhe këtu. Shqiptarët që jetojnë jashtë e ndjekin shumë këtë skuadër”.
Aspekti psikologjik: “Ky është moment thelbësor. Kam folur me lojtarët dhe kam udhëtuar shpesh për të takuar lojtarët. Ka dëshirë, entuziazëm dhe dëshirë pozitive që unë e ndjej. Futbollistët duan të bëjnë më të mirën e mundshme”.
Përshtypjet e para: “Ne kemi punuar një javë me futbollistët që kishin përfunduar kampionatet e tyre. Falenderoj dhe Partizanin që më dha mundësinë të shoh futbollistët. Lojtarët që kishin përfunduar kampionatin i afrova për t’i mbajtur në aspektin e duhur fizik. Stërvitja e vërtetë do të fillojë sot”.
Ekuilibri i skuadrës: “Mendoj se mungonte ekuilibri i skuadrës me Panuccin. Lojtarët duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin”.
Ndeshjet e radhës: “Islanda është e fortë në ajër dhe duhet të punojmë që të mos i japim mundësi atyre. Më pas duhet të mendojmë për sfidën ndaj Moldavisë. Kjo lista këtu nuk është përfundimtare, por do të shohim dhe lojtarët e tjerë”.
Konkurrenca: “Nuk i bën keq ekipit. Jemi në kombëtare dhe askush nuk duhet të mërzitet. Të gjithë lojtarët duhet të jenë të lumtur që janë pjesë e Shqipërisë. Do t’i shoh unë në ndeshje të caktuara dhe më pas do shoh dhe pjesën e karakterit. Do të flas me ta dhe do t’i njoh dhe më shumë. 11 luajnë dhe nuk mund të luajnë të gjithë”.
Skemat e lojës: “Do të luajmë me dy sulmues me Islandën. Do të mundohemi të bëjmë presion që lart me dy sulmues. Nuk do të thotë që do të bëjmë një ndeshje shumë ofensive, por më pëlqen të luaj lart dhe të shfrytëzojmë mundësitë që kemi. Në Gjermani do të punojmë për skemat e lojës”.
Lenjani: “Kam folur me Lenjanin, kam qenë në Zvicër. Kemi sqaruar gjithçka. Lenjani është lojtar ofensiv dhe ndoshta nuk ishte pjesë e skemave të trajnerit Christian Panuccit. Nuk më pëlqen kur trajnerët flasin keq për trajnerin. Ai më ka dhënë përshtypjen që ka ardhur me shumë entuziazëm dhe do të mundohemi ta shfrytëzojmë na maksimum”.
Loja: “Duhet të kemi lojtarët e duhur për të zbatuar skemat e lojës. E rëndësishme është të kesh lojtarë, pasi nuk mund të shkosh në luftë pa fishekë”.
Gjuha shqipe – “Nuk arrij të kuptoj asnjë fjalë nga ajo çfarë thoni. Kam qenë i kujdesshëm kur flitet, pasi kuptoj gjermanisht, sllovenisht, por nuk kuptoj asgjë në shqip. Kam takuar shumë shqiptarë në vendlindje dhe më kanë ndërtuar dhe shtëpinë si muratorë. Shpresoj të mos ma shembin dhe shpresoj të ndërtojmë diçka bashkë. Më jepni kohë që të njoh skuadrën”.
De Biasi: “Kam folur dhe me De Biasin disa herë dhe kam marrë gjëra pozitive. Panucci nuk kishte shumë fat me rezultate, por mendoj se është munduar për mirë. Diktator? Nuk e di. Jam më demokratik dhe më pas kush nuk i zbaton rregullat. Nuk do e përdor bastunin shpesh, por kur duhet do të godas fort. Dua të krijoj një impakt pozitiv dhe jo të prish energjinë”.