Opinione Në markatën vjeshtore të shit-blerjes mediatike

Në markatën vjeshtore të shit-blerjes mediatike

Nga Leonard Veizi

Në ngrehinën e budallallëkut masiv, në më të shumtën e rasteve turremi vrap pas berihait, vetëm e vetëm të mos dukemi si idiotë jashtë turmës, por thjeshtë si idiotë brenda saj. Kjo ka arsye, edhe hahet…

Unë nuk kam ndër mend të solidarizohem dhe seç ma ka qejfi të më quajnë: grevëthyes. Nuk më pëlcet fare. Megjithëse për shansin tim të mirë, unë nuk jam pjesëtar as i ndonjë forumi gazetarësh e as i ndonjë shoqate shkrimtarësh. Shkurt, jam me veten time. Dhe si i tillë mbaj përgjegjësi vetëm për veten time.

Të dalim aty ku e nisëm…

Edhe këtë herë në tregun mediatik është hedhur kocka e radhës. Merkatoja e vjeshtës nisi në mesin e verës me diellin që të binte në çaçkën e kokës. Dhe kur të bie dielli edhe në pazar nuk je fort i mirë, o të janë veshur sytë, o të ka ikur petlla. Ndërkohë shqetësimi posesiv po rritej me progresion gjeometrik: Ku do punojë Krasta pas largimit nga “News”-i? Po Rakipi?

Hall i madh, posi.

Ky shqetësim ka dy përbërës:

E para që ka të bëjë me fjalën e lirë. Domethënë fjala dhe mendimi i lirë do kufizohen, sapo këta të dy të dalin nga skema. Që do të thotë se këta të dy janë heronj.

Dhe e dyta, problem themelor gjithashtu është se ku do hanë bukë e do mbajnë familjen këta dy gazetarë, pjesë e armatës së madhe të gazetarëve.

Halle-halle kjo dynja…

Por, për dreq e djall bashkë, asnjëri prej argumenteve nuk ma mbushte mendjen aq sa të shkoja me vrap e të regjistroja emrin në fletoren e solidarizimit, ku veç gjeneraliteteve më duhet të transmetoja saktë si numrin dhjetëshifror të celularit ashtu dhe numrin e shasisë që njihet përndryshe si ID në kartën e identitetit.

Mirëpo gjatë ditëve të nxehta të verës, tek qëndroja nën hijen e një çadre plazhi, i gatshëm të hidhesha në det për t’u freskuar ca, gjatë procedurës së zakonshme për t’u njohur me të rejat në facebook, më ranë në sy se ca emra të njohur dhe ca të tjerë që s’i kisha dëgjuar kurrë, ishin rreshtuar si ushtarët me gavetë në dorë për t’u solidarizuar me idenë progresiste që fjala e lirë të mos na cenohej, dhe në fund të fundit dy gazetarët e njohur ta merrnin nga një copë rrogë për të përballuar nevojat bazë të jetës që po shtrenjtohet dita-ditës.

U shqetësova nga ky shqetësim mbarëpopullor. Edhe larjen në det e braktisa. Rashë në të thella, pikërisht nën rrezet masakruese të diellit të mesditës, aq sa lëkura m’u bë si daulle e djegur. I shoshita mendimet nga të gjitha anët dhe sërish emëruesi i përbashkët më dilte me shenjë negative.

Më në fund vendosa:

E kisha të vështirë t’i bashkohesha turmës, e të vendosja firmën, numrin e shasisë e atë të celularit, në fletoren e solidaritetit. Madje nuk u tuta nga mendimi im edhe kur shqetësimi në rritje m’u duk sikur po ia kalonte edhe shqetësimeve të përgjithshme globale mbi komplotet e mëdha botërore, ku në skenë dalin herë ata të Illuminatit e herë Fremasonët.

Mirëpo këtë herë nuk flitej për traktate partish pa uthull e pa yndyrë. Këtu flitej për njerëz të medias, pjesë përbërëse e të cilës jam dhe vetë. Ja, këta janë dhe zëdhënësit e fjalës së lirë, se të tjerët në fakt nuk bëjnë për këtë punë. Dhe zëdhënësi, apo lajmëtari, me kanun, nuk preket. Ai duhet të ligjërojë, e që ta lagi grykën nuk duhet të mbetet thatë. Të tjerët po, pak rëndësi kanë.

Epo fjala e lirë duhet mbrojtur, pavarësisht kush e thotë.

Ç’është e vërteta, kur nuk solidarizohemi, për ne shqiptarët thuhet se jemi një popull pa shtyllë kurrizore. Prandaj duhen matur fjalët. Dhe na duhet të solidarizohemi, domethënë që e keqja të mos na hipi në qafë. Në fakt, e keqja ne na ka marrë në qafë, por kjo është temë tjetër diskutimi.

Gjithsesi tabutë duhen thyer. Ndaj sot po i shoh me zili ata që solidarizohen me Krastën e Rakipin. Për vendin e tyre të punës dhe për rrogat e tyre. Se sa për fjalën e lirë… kush nuk e di ta mësojë se nuk është gjë tjetër veç një konvencion.

Mirëpo, marrë anapulla, mendja më shkon dhe gjetiu. Të gjithë ne që punojmë në frontin e “fjalës së lirë” kemi mbetur të paktën një herë pa punë. Po or po, të gjithë kemi mbetur si peshku në zall dhe s’e ka rruajtur njeri fare për ne. O s’ka pasur brisqe, ose nuk ka funksionuar letra me dyllë, jarebi.

Atëherë pse gjithë ky solidarizim? Për fjalën e lirë. Kush na paska thënë që Krasta e Rakipi na qenkan flamurtarë të fjalë së lirë?

Në këtë botë mediatike ku në internetin pa kufi gëlojnë derri e dosa bashkë, po na u kufizuaka liria. Dhe këtë na i bëka kryeministri ynë dy metra i gjatë. Se është i gjatë, nuk do të thotë që është dhe i fortë. Jo ore jo, mos i merrni jangëllësh thirrjet për solidarizim. Se natyrisht Edi a Edvini, thirrini si të doni, jo vetëm që nuk ka aq këllqe, por nuk ka as bythë të ndalojë fjalën e lirë. Dhe pakkush e kupton se duke i thënë “diktator” Edit, vetëm se i shton vlerën.

Cilët na qenkan ata që Edvinin, na e shohin si një supermen. Përveç militantëve pa patentë e kam fjalën. Se ai nuk është führer Adolfi, as tovarish Stalini madje-madje as shoku Enver nuk është, sa të ketë fuqinë për të na e prerë llafin në mes e të na dërgojë kolkozeve për riedukim.

Ja, kështu vajti kjo punë.

Dhe çfarë na mbetet? Sigurisht na mbetet të solidarizohemi për rrogën e Krastës dhe Rakipit. Sepse këta të dy dhe ca të tjerë që vërtiten bujshëm në tregun mediatik marrin rroga aq stratosferike sa nuk justifikohen për prodhimin e brendshëm bruto që ka Shqipëria.

Epo nuk duhet të bëhemi dhe kaq shumë merak. Ditët e fundit zërat janë zbutur. Kanë filluar ofertat e merkatos së vjeshtës. Zëre se u rregulluan të dy, në dy ekrane të tjera, në mos me rrogat që kishin, me ca më të mira se aq.

U rrit pazari vëllezër…, ja kaq e lehtë ishte.

Ndërsa fjala e lirë… Fjala e lirë është një konvencion, mos e merrni aq seriozisht. Rëndësi kanë paratë.

Epo kur vjen puna tek lekët dhe beneficet e tjera që e bëjnë mutin kala, në vend ta bëjnë fjalën e lirë të tillë, më vjen ta mbush fort gojën: Krasta, Rakipi e ju të tjerët: FUCK YOU.