Bota Rrugë të shkretuara, shtëpi të braktisura. 8 vite pas katastrofës nukleare në...

Rrugë të shkretuara, shtëpi të braktisura. 8 vite pas katastrofës nukleare në Fukushima (FOTO)

Rrugë bosh, shkolla të braktisura, supermarkete të shkatërruara dhe shtëpi të pabanueshme.

Fotot që po shikoni tregojnë gjendjen aktuale të ndërtesave pranë centralit bërthamor të Fukushimës në Japoni, 8 vite pas katastrofës nukleare që detyroi njerëzit të largoheshin nga zona.

Një tërmet me magnitudë 9 dhe një cunami që e pasoi atë në mars të vitit 2011 shkaktoi shpërthim në 3 nga 6 reaktorët e centralit bërthamor, duke çliruar radiacion në ajër, tokë e oqean dhe duke detyruar 160 000 banorë që jetonin aty afër që të zbraznin banesat.

Fotot janë shkrepur nga fotografja polake Natalia Sobanska, e cila tha se u trishtua shumë nga pamja që gjeti.

“Në fillim isha e emocionuar që do të shkoja në Fukushima pasi më pëlqejnë vendet e braktisura, por kur pashë shkollat dhe ndërtesat në atë gjendje, u trishtova shumë. Ishte traumatike”, u shpreh Natalia.

Ndërkohë, kompania Tokio Electric Power, që operon termocentralin japonez në Fukushima, ka vendosur të derdh një milion ton ujë të kontaminuar në Oqeanin Paqësor. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Mjedisit Yoshiaki Harada, i cili theksoi se “kjo është e vetmja mundësi e mundshme”.

Pas tërmetit, kompania Tepco ruajti më shumë se një milion tonë ujë të kontaminuar në kanalet ftohëse të reaktorit në zonën e destinuar për rezerva, aty ku sot nuk ka më hapësirë ​​për të ruajtur tonelata të tjera.

“E vetmja zgjidhje është që ta hollojmë dhe ta derdhim në det“ – tha ministri gjatë një konference informacioni në Tokio. “Qeveria do ta diskutojë propozimin, por unë doja të ofroja mendimin tim të thjeshtë.”

Qeveria japoneze është në pritje të një raporti ekspertësh, përpara se të marrë vendimin e saj përfundimtar në lidhje me ujin radioaktiv. Sekretari japonez i kabinetit Yoshihide Suga, në një konferencë të veçantë për shtyp, saktësoi megjithatë që komentet e Harada janë “mendimi i tij personal”.

Tepco nuk mund të vendosë e vetme se çfarë do të bëjë me ujin radioaktiv. Hapësira e nevojshme për të ruajtur ujin ne termocentral është e disponueshme deri në vitin 2022.