Në fshatin Hysgjokaj të Lushnjes, koha është ndalur. Qani Sharka është 70 vjeç, por që të mbajë familjen me bukë, i duhet ta punojë tokën si në rininë e tij, me një parmendë të tërhequr nga kali. Kjo metodë primitive i kushton më pak.
“Kam 10 vite që i jam rikthyer kalit. Po punoj me kalë sepse s’ka parà, që t’i bëj të gjitha me zetor. Është shumë shtrenjtë, 2.000 lekë dynymi”, thotë Qani Sharka për TCH, banor i fshatit Hysgjokaj.
Por parmenda, siç ul koston e punës, ul edhe rendimentin e prodhimit, pasi toka nuk plugohet në thellësinë e duhur që kërkon bima.
“Unë kam 3 dynymë. Po ta mbjell me zetor shkon rreth 16 mijë lekë. Po plehu dhe autokombajna?”, thotë më tej Qani Sharka.
Muaji nëntor është muaji i mbjelljeve në Myzeqe. Por ashtu si Qaniu, shumë bujq të tjerë vazhdojnë dita-ditës t’i rikthehen parmendës.
Për ata që kultivojnë grurë sa për bukën e gojës, çmimi i shërbimit me mjete mekanike mbetet i papërballueshëm.