Kryeministri i vendit, Edi Rama me anë të një postimi në “Facebook” tregon në foto njërin prej anëtarëve të ekipit të shpëtimit që kanë ardhur nga Kosova për në Shqipëri, në ndihmë të personave që ndodhen nën rrënoja, si pasojë e tërmetit që shkatërroi një qytezë të tërë dhe mori jetën e 27 personave, ndërkohë që shumë të tjerë janë ende të zhdukur.
Në postimin e tij, Rama falenderon dhe shpreh mirënjohje për heronjtë, siç dhe ai i quan, të këtyre ditëve të paharrueshme dhimbjeje kombëtare.
“Edhe kjo mund të ishte thjesht një PHOTO OF THE DAY.
Por asisoj, fotoja e ditës nuk do të thoshte dot se sa shumë mirënjohje meriton sot, kjo trupë e shkëlqyer djemsh e vajzash, si të dalë nga ndonjë film skematik amerikan i luftës mes së mirës e të keqes – ku fituesi i luftës shihet qysh në fillim dhe tërë peripecitë e tij gjatë filmit kalohen kollaj, pasi fundi dihet.
Të bukur, të fortë, të aftë, të disiplinuar dhe të palodhur deri në përmbushjen me sukses të misionit, ata janë ndoshta produkti më spektakolar që ka nxjerrë lufta e Kosovës, në funksion të paqes së dinjitetshme, siç janë padyshim shembëlltyra më imponuese e shtetkrijimit të Kosovës.
Kjo trupë do të lerë në kujtesën time, bashkë me gjurmën e pashlyeshme të kontributit të saj human, në një ditë kaq të zezë fatkeqësie për Shqipërinë, shijen e paharrueshme të një shfaqjeje heroizmi jetësor, ku heronjtë ta mbushnin plot syrin, mu si nëpër filmat amerikanë.
#HEROES”, shkruan Rama në “Facebook”.