Aktualitet Vlora, Shkodra, Shkupi, Dubrovniku: Ja tërmetet më të rënda në Ballkan

Vlora, Shkodra, Shkupi, Dubrovniku: Ja tërmetet më të rënda në Ballkan

E ndërsa Shqipëria po përjeton orët e rënda të një pas-tërmeti me viktima e pasoja të shumta materiale, është rasti për të kujtuar se sa sosh e kanë goditur Ballkanin prej atyre që konsiderohen si më fatkeqët.

Dubrovnik (1667) – 7, 4 Richter

Fakti është se rajonet bregdetare janë më të ndjeshme ndaj tërmeteve. Dubrovniku ka regjistruar më shumë se një mijë tërmete në historinë e tij. Tërmeti i parë me pasoja katastrofike ishte në 1520. Më i forti, ishte ai i 6 prillit 1667, me 7.4 gradë shkallë Rihter, duke vrarë rreth 5.000 njerëz, që ishte rreth 80 përqind e popullsisë së Dubrovnikut.

Vlora (1851) – 6,6  Richter

Tërmeti më i rëndë në Shqipëri (i matur) ka qenë në vitin 1851 me epiqendër në Vlorë – bregdet. Ai goditi me 12 tetor, rreth orës 7 të mëngjesit, me një magnitudë prej 6.6 shkallës Richter dhe intensitet të tmerrshëm prej 11 të Merkalit (ku maksimumi është 12).

Qyteti mesjetar u rrafshua thuajse krejtësisht duke mos lënë gjurmë të tij, me përjashtim të xhamisë së fortë Muradie. Kështjella, e dëmtuar më parë me mina nga venedikasit, por kryesisht “torrazzo” e lartë e saj, u shembën keq. Qindra të vdekur, u pasuan nga një braktisje masive e qytetarëve të vjetër. Numri i viktimave do kishte qenë katastrofik nëse nuk do kish patur lëkundje të forta disa orë përpara, që në 2 të mëngjesit, gjë që kish detyruar njerëzit ta kalonin natën jashtë.

U bënë dëme te jashtëzakonshme edhe në Berat i cili humbi thuajse gjithë strukturat me kulla guri që trashëgonte nga mesjeta, por rezistuan strukturat e lehta të stilit osman.

Ky tërmet, që u lajmërua edhe nga mediat europiane, u ndje fort në Greqinë Veriore dhe Italinë e Jugut.

Shkodër (1905) – 6, 6 Richter

Një tërmet me madhësi 6.6, me shkallë Richter, shkatërroi pjesën veriperëndimore të Shqipërisë dhe pjesën jugperëndimore të Malit të Zi. Nuk dihet numri i saktë i viktimave, por sipas një raporti mediatik në Mal të Zi në atë kohë, i gjithë bregdeti i Adriatikut po dridhej, dhe zor se kishte një qytet pa shtëpi të shembura që përshkohej nga ky det.

Shkup (1963) – 6, 1 Richter

Tërmeti i 26 korrikut 1963 vrau 1,070 njerëz dhe plagosi të paktën 3.000 njerëz, nga të cilët 1200 ishin me aftësi të kufizuara.

15.800 banesa u shkatërruan dhe 28,000 u dëmtuan. 200,000 njerëz mbetën të pastrehë. Ishte një tërmet me madhësi 6.1 në shkallën Rihter që u ndje në 50,000 kilometra katror.

Tërmeti shkatërroi midis 75 dhe 80 përqind të qytetit. Përgjatë Luginës së Vardarit, Teatri i vjetër, Shtëpia e Ushtrisë, ndërtesa e Bankës Kombëtare, hotele dhe bujtina u zhdukën.

Dekada më vonë, ora në stacionin e vjetër të trenit ishte fiksuar në 5.17, që është një kohë tragjedie. Muzeu i Qytetit Shkup tani është vendosur atje.

Mesazhi i dhënë nga Tito një ditë pas tërmetit shkatërrues 1963 u postua në 1974 në një muze në Stacionin e vjetër Hekurudhor, i cili më pas u dëmtua keq dhe u ruajt më vonë në atë gjendje.

“Shkupi ka përjetuar një katastrofë të paparë, por ne do ta rindërtojmë Shkupin me ndihmën e të gjithë komunitetit. Do të bëhet një krenari dhe simbol i vëllazërimit dhe unitetit, i solidaritetit jugosllav dhe botëror”, thuhet në mesazhin e Josip Broz Titos.

Mali i Zi (1979) – 7, 0 Richter

Është zyrtarisht tërmeti më i fortë në Ballkan në kohët moderne, pasojat e të cilit u rehabilituan pothuajse një dekadë më vonë. Tërmeti, i cili ndodhi më 15 prill 1979 në 6:19 të mëngjesit, ishte 7.0 i në shkallën Rihter, dhe shkaktoi shkatërrim katastrofik me në të gjithë bregdetin e Malit të Zi, mbi 100 km të gjatë.

Epiqendra e tërmetit ishte vendosur në detin Adriatik, midis Ulqinit dhe Barit, në një distancë prej 15 km nga bregu. Në këtë tërmet, 101 njerëz humbën jetën në Mal të Zi dhe 35 në Shqipëri, ndërsa më shumë se 100,000 të tjerë mbetën të pastrehë.

Në Shqipëri, më e dëmtuar ishte Shkodra, me Bahçallëkun dhe Dajçin e rrafshuar. Prej aty buroi dhe slogani ideologjik se “tërmeti tundin malet por jo shqiptarin”.