Vizita e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi në Izrael, me ftesë të Ministrit Izraelit të Turizmit Yariv Levin, konfirmoi edhe një herë marrëdhënien e shkëlqyer të të dy vendeve, siç u shpreh Klosi.
Ministri Levin vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Izraelit, po vijojnë të përforcohen edhe në dimensionin ekonomik.
“Është një miqësi e lindur në kohët e vështira të Luftës së Dytë, kur shqiptarët u bënë dera e mikpritjes së mijëra familjeve hebreje”-, tha ndër të tjera ministri Levin duke përcjellë vlerësimet dhe mirënjohjen e qeverisë dhe popullit të tij.
Kjo miqësi po zhvillohet në rrafshin ekonomik, vijoi ministri i Turizmit të Izraelit, duke shprehur interesin në rritjen e komunikimit të agjensive turistike mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Izraelit.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bëri një paraqitje të nismave të fundit të qeverisë shqiptare për nxitjen e investimeve në fushën e turizmit, në lehtësirat fiskale për ndërtimin e hoteleve dhe resorteve me 4 dhe 5 yjeve.
Ministri Klosi dhe ministri Levin, bashkëndanë lajmin e mirë të vendosjes së linjës direkte të fluturimit Tel Aviv – Tiranë.
Linja do të nisë të funksionojë në 13 Prill të këtij viti me frekuencë 2 herë në javë. “Pritshmëria është”-, tha ministri Klosi,- “të disafishohet numri i turistëve izraelitë në Shqipëri, duke shkuar drejt 50 mijë vetë në vit”. Ministri Klosi shtoi se në destinacionet turistike të Shqipërisë, turistëve izraelitë do t’u ofrohet përveç të tjerave, edhe rrugëtimi historik i hebrenjve në Shqipëri, si vendi i rrallë në botë që numëron më shumë hebrenj në mbarim të Luftës së 2-të Botërore sesa në fillim të saj.
Ministri Levin përshendeti nismën konkrete të bashkëpunimit mes dy vendeve, atë të lidhjes direkte të fluturimeve, si një mekanizëm që do të nxisë më tej shkëmbimet turistike.
Ministri Klosi ftoi homologun izraelit për vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë të cilën homologu izraelit e mirëpriti me kënaqësi.