Nga prurjet turistike që vizituan Shqipërinë gjatë muajit qershor, kryesojnë polakët dhe italianët.
Sipas të dhënave të INSTAT në publikimin për strukturat akomoduese, rezulton se 9.2% e vizitorëve jorezidentë ishin nga Polonia dhe 8.3% nga Italia.
Megjithatë, ata renditen pas qytetarëve nga Kosova që zënë vendin e parë me 12.6%.
Të dhënat tregojnë se gjatë qershorit ka patur një rritje të vizitorëve me 49.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Numri i vizitorëve rezident është rritur me 12.2 % ndërsa i atyre jo-rezident me 76.4 %
Edhe numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 52.8% në krahasim me qershorin e vitit të shkuar ku zgjerimin më të lartë e ka shënuar numri i netë qëndrimeve nga jo-rezident me 60.7%.
Numri i netë qëndrimeve nga rezidentët është rritur me 36%.
Sipas të dhënave, numri i vizitorëve jo-rezident që janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë, me 2.5 herë. Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 75 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Rritet ndjeshëm norma e shfrytëzimit të dhomave
Gjatë qershorit norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 28.5 %, kundrejt 22.9 % që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 30.5 %, kundrejt 23.2 % që ishte në qershor të 2022-shit.
Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.