Eurostat ka publikuar të dhënat më të fundit për pagat minimale në Europë, ku në analizë merren jo vetëm vendet e Bashkimit Europian, por edhe ato kandidate për t`u bërë pjesë e unionit, si Shqipëria.
Të dhënat i referohen muajit Janar të këtij viti. Pavarësisht se gjatë vitit të kaluar paga minimale në vendin tonë u rrit në 24 mijë lekë në muaj, nga 22 mijë lekë që ishte më parë, Shqipëria vijon të mbetet padiskutim vendi me pagën më të ulët në kontinent.
Me një pagë minimale në 180 euro në muaj, Shqipëria nuk njeh asnjë rival për vendin e fundit. Ndjekësja më e afërt është Serbia me 285 euro në muaj pagë minimale. Por ajo që duket se është më shqetësuese është progresi i bërë në këtë drejtim në 10 vitet e fundit.
Siç dallohet qartë edhe nga grafiku, ku ngjyra e kaltër i referohet 2018-ës dhe ajo e verdhë 2008-ës, Shqipëria është vendi që ka bërë progresin më të ulët mes të gjitha vendeve të tjera europiane, madje, në 2008-ën, Shqipëria nuk ishte e fundit në këtë renditje, pasi linte pas Bullgarinë dhe Rumaninë.
Në 2008-ën, paga minimale në Shqipëri fiksohej në 139 euro, në Bullgari në 113 euro dhe në Rumani në 137 euro në muaj.
Në 2008-ën, këto dy shtete kishin ekzaktësisht një vit që ishin bërë pjesë e Bashkimit Europian, dhe në harkun e 10 viteve, progresi është i ndjeshëm. /Scan