Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 4 viktima.
Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehrin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën gjallë nipin e vogël.
Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe. Edhe në Durrës ku dëmet janë të shumta, një i pajetë u nxor nga rrënojat e një pallati të shembur në lagjen numër 18.
Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i përfshirë nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë.
Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.
Po ashtu, mbi 150 persona raportohen të lënduar.
Ekipet mjekësore aktualisht është në gjendje gatishmërie të plotë si në Tiranë, Durrës dhe gjithë Shqipërinë.