Kosova përfundimisht në fillim të vitit 2019 pritet të bëjë largimin e të gjitha kodeve të huaja telefonike dhe të përdor vetëm kodin telefonik të Kosovës +383, bëjnë të ditur përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Ndonëse ishte paraparë që në qershor të vitit 2018 t’i jepet fund operimit të kodeve të huaja telefonike dhe të përdoret vetëm kodi +383 i Kosovës, kjo nuk arriti të realizohej.
Sfidë për fillimin e zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383, sipas operatorëve të telefonisë mobile Vala dhe Ipko ishin relacionet e tyre me operatorët ndërkombëtarë.
Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se ndonëse në vitin 2018 nuk është arritur të largohen përdorimi i kodeve të huaja, procesi i zbatimit ka shënuar arritje të mëdha.
“Një nga të arritjet që mund të përmenden është largimi i plotë i kodit të Serbisë që ka funksionuar në Kosovë për një periudhe të gjatë nga telefonia fikse. Në telefoninë fikse, të gjithë operatorët qoftë ata të mëdhenj apo të vegjël e kanë zbatuar komplet kodin +383, ndërsa në telefoninë mobile janë hapur mundësitë për të bërë thirrje dhe për të pranuar thirrje me kodin +383. Në këtë mënyrë, tani thirrjet nga e gjithë bota në drejtim të Kosovës mund të bëhen me +383 edhe ne telefoninë mobile edhe fikse.
Në këtë proces është bërë edhe përdorimi i kodit +383 në shumë aplikacione që shfrytëzohen në rrjetet sociale”, thotë Gashi.
15 janari i vitit 2019 është data e fundit kur operatorët e telefonisë mobile dhe fikse Vala dhe Ipko do të duhet të fillojnë me zbatimin e kodit telefonik +383 ose do të fillohet me masa sanksionuese.