Presidenti Ilir Meta gjatë një konference për mediat, sa i takon reagimit të ambasadores së SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, për realizimin sa më parë të Reformës Zgjedhore dhe asaj në Drejtësi, tha se ka shumë të drejtë.
I pyetur se a është ai duke bërë një negociatë në kurriz të Reformës në Drejtësi dhe më kë po negocion, referuar shqetësimit të treguar nga Ambasadorja Kim, Meta e mohoi duke shtuar se ka katër vite që kërkon një produkt konkret të zbatimit të Reformës.
“Sa më takon mua, unë kam katër vjet që them stop lojërave me Reformën në Drejtësi dhe Ambasadorja ka të drejtë, se kaluan katër vjet dhe shohim vetëm lojëra dhe nuk shohim një produkt konkret të zbatimit të kësaj Reforme. Këtë e tregojnë renditjet e Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare. Këtë e tregojnë kushtet e BE. Shqetësimi është i drejtë, sepse aktorët politikë kanë luajtur me këto çështje.
Presidenti nuk është aktor politik, është kryetar i shtetit dhe në këtë shtet pavarësisht sesi është, ka një kryetar që është gjithmonë në krye të detyrës dhe nuk ka surprizuar askënd me veprimet e tij, sepse gjithçka ka qenë e mirëdokumentuar në aktet dhe përmbushjen e detyrimeve të Presidentit Ilir Meta sa i takon zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Tani që jemi në këtë situatë, Presidenti është i gatshëm të ballafaqohet me të gjithë aktorët për të parë se kush ka bërë dhe po bën lojëra me Reformën në Drejtësi… Jo nuk po negocioj asgjë, përveç këtyre 14 pikave”, u shpreh Presidenti.