I cilësuar si një kusht i Athinës për mbështetjen e hapjes së negociatave të Shqipërisë, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis i është rikthyer Marrëveshjes së Detit.
Të martën, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim në Athinë me homologun grek ku dy ndër çështjet kryesore që do të trajtohen janë marrëveshja e lartpërmendur dhe të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë.
Takimi do të zhvillohet në kuadër të samitit botëror arab, të cilit do t’i bashkohen kryeministra të tjerë të rajonit.
Ju kujtojmë se gjatë një vizite në qytetin e Selanikut, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis çoi përsëri një mesazh ndaj Tiranës dhe Shkupit disa ditë pasi dy vendet morën përgjigje negative për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Duke mos rrezikuar as më të voglin destabilizim në rajon do të ndjekim me vëmendje fqinjët tanë se si do të përgjigjen ndaj detyrimeve të tyre, ka theksuar Mitsotakis, shtoi se Athina favorizon perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me kusht që ato të plotësojnë detyrimet e tyre.
“Ashtu si me të gjithë, edhe me Shqipërinë kërkojmë marrëdhënie të mira fqinjësore. Nuk duhet të harrojmë se Greqia ka pritur shumë emigrantë ekonomikë nga Shqipëria duke dhënë një dorë në këtë mënyrë në rimëkëmbjen ekonomike të saj. Kuadri i bashkëpunimit tonë është tepër i gjerë. Por kusht për progresin e përbashkët, kusht që të hapet në një moment edhe rruga evropiane e Shqipërisë është respektimi i minoritetit grek dhe i të drejtave të tij”, deklaroi kryeministri grek.
Kreu i Qeverisë greke për herë të parë prej ditës kur erdhi në pushtet bëri thirrje edhe për gjetjen e gjuhës së përbashkët në përcaktimin e Zonave Ekonomike Ekskluzive në detin Jon.
“Kusht është të mos ketë asnjë thirrje nga njerëz që nuk e njohin historinë si dhe qasja e sinqertë për përcaktimin e Zonave Ekonomike Ekskluzive të të dy vendeve në Jon, një proces që dua t’ju kujtoj se kishte përfunduar në 2009, por atëherë Tirana zyrtare bëri pas”, deklaroi Mitsotakis.
Në të njëjtën gjatësi vale ishin edhe deklaratat e Mitsotakis edhe për fqinjin verior që zhvillon zgjedhjet e parakohshme më 12 prill të vitit që vjen, duke kujtuar se vërtet që partia e tij dhe ai vetë nuk ishin dakord me Marrëveshjen e Prespës, por ai do ta zbatojë atë dhe të njëjtën gjë do të kërkojë edhe nga Qeveria e Shkupit.