Në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së martës, Lulzim Basha, kreu i PD, reagoi në lidhje me vendimin për shtyrjen e negociatave për në muajin tetor.
Basha u shpreh se kjo është hera e tretë që negociatat i mohohen Shqipërisë nën drejtimin e Ramës. Ai theksoi se problem i vetëm është krimi dhe korrupsioni.
“Shqipërisë iu mohuan për të tretën herë hapja e negociatave nën drejtimin e Edi Ramës. Edhe më i rëndë është fakti se ne Shqiptarëve po na vihet në dyshim vlerat europiane. Pasi të dështojnë ta mohojnë, përpiqen t’ia vendosin fajin të tjerëve. Faji është vetëm i një njeriu, Edi Ramës. Mos u gënjeni nga propaganda e tij. Ka vetëm një arsye pse na janë mbyllur dyert e Europës, ai është krimi dhe korrupsioni.
Europa është sjellë si nënë e dashur, ajo na ka mbajtur me bukë, na ka dhënë asistencë dhe dije kur sapo dolëm nga komunizmi. Na hoqi vizat që të ishim të lirë në gjirin e saj. Europianët nuk janë kundër Shqipërisë, por ata janë kundër krimit. Kemi prekur fundin, nëse nuk reagojmë tani e keqja do të sundojë kudo. Këtë herë nuk do të kalojë më si më parë. Kjo gjendje nuk duhet dhe nuk do të kalojë pa një ndryshim të thellë. Zgjidhja është drejtësia, zgjidhja kalon vetëm nga burgu. Vetëm kështu do të mbyllim kapitullin famëkeq të vjedhjes së votës”, u shpreh Basha.
Në fund, Basha iu bëri thirrje qytetarëve të dalin në protestë ditën e premte në orën 20:00.