Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, thotë se autoritetet shqiptare janë të qarta për procesin që kanë përpara, në rrugën drejt integrimit për në BE. I pyetur nga gazetarët për deklaratat e bëra një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi vonesën e negociatave të pakuptimtë, Soreca u shpreh se Shqipëria është shumë pranë Konferencës së parë Ndërqeveritare, por ka ende punë për të bërë.
Si e komentoni deklaratën e Ramës, sipas së cilit integrimi, vonesat e Shqipërisë janë më shumë problem i BE, sesa vetë Shqipërisë?
Luigi Soreca: “Si Shqipëria ashtu edhe autoritetet shqiptare janë shumë të qarta për të gjithë procesin që kemi përpara. Është bërë shumë e qartë se cilat janë kushtet të cilat duhet të përmbushë Shqipëria për të pasur mundësinë, për të arritur Konferencën e parë Ndërqeveritare. Shqipëria është vërtetë shumë afër këtij procesi, ka ende punë për të bërë. Qeveria është në dijeni të të gjithë këtë proces. BE nga ana tjetër e ka shprehur qartë dëshirën për të filluar sa më shpejt me këtë çështje, sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjithë besoj jemi të qartë, edhe qeveria e di mirë se ç’duhet bërë”.
Deklaratat Soreca i bëri në Kukës, nga ku theksoi se të gjitha bashkitë e vendit do të fillojnë punën e tyre, në lidhje me integrimin europian, sapo të nisin negociatat.
“Sapo të fillojmë negociatat, e kam fjalën për hapjen e Konferencës Ndërqeveritare dhe shpresoj që kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Jo vetëm Kukësi, por edhe 60 bashkitë e tjera të Shqipërisë do të fillojnë punën e tyre, në lidhje me integrimin europian. Do të jenë pjesë e këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe është i rëndësishëm sepse prek jetët e qytetarëve në zonat ku jetojnë, kështu që kemi 61 bashki në Shqipëri që do të bëhen pjesë e BE. Sa i përket Kukësit ne e kemi një plan, kështu që le t’i përveshim mëngët dhe t’i kthehemi punës”.