Bisedimet për presidentin e ardhshëm të Kosovës, po lënë nën hije negociatat për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Përderisa të dy partitë në negociata thonë se do t’i vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes, analistët politikë në anën tjetër, theksojnë se krahas pozitës së presidentit, çështje kyçe për arritjen e marrëveshjes janë edhe dy ministri në të cilat, sipas tyre, po insistojnë t’i kenë nën drejtim të dy partitë në negociata. Fjala është për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë.
Pa marrëveshje rreth këtyre çështjeve, analistët, nuk po shohin mundësi që të arrihet deri te marrëveshja për Qeverinë e re të Kosovës.
Politologu Ramush Tahiri duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë së për një qeveri më të rëndësishme janë programi qeverisës dhe transparenca sesa pozitat udhëheqëse.
“Prezantimi i programeve (gjatë fushatës zgjedhore) tash po del që kjo ka qenë vetëm formë për të fituar vota, ndërsa problemi kryesor ose çështja kryesore madhore qenka ndarje pozitave të pushtetit, tash jo vetëm ato për të cilat janë mbajtur zgjedhjet, por të gjitha, në këtë rast edhe pozita e presidentit”, tha Tahiri.
Muhaxhiri mendon se çështja e postit të presidenti nuk është dashur të diskutohet në këto rrethana.
“Posti i presidentit nuk është aq i rëndësishme sa janë dikasteret e caktuara qeveritare për të cilat po bëhet beteja reale”, tha Muhaxhiri.
Mospajtimet rreth ndarjes së pozitave kryesore në udhëheqjen e institucioneve të reja si dhe përplasjet politike nga e kaluara, sipas analistëve politikë, mund të shihen ndër arsyet pse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po e kanë të vështirë të finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës.
Ndonëse të dy partitë tashmë kanë deklaruar se janë dekoruar 100 përqind për programin qeverisës dhe numrin e ministrive, në momentin kur lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa i filluan negociatat për ndarjen e pozitave udhëheqëse, bisedimet u ndërprenë.
Zgjedhjet e mbajtura më 6 tetor kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Këto dy parti politike, gjatë mandatit të kaluar ishin në opozitë, kurse tani po negociojnë rreth koalicionit qeverisës.
Ndërkaq partitë që ishin në pushtet, pritet që në mandatin e institucioneve të reja që do të formohen, të kalojnë në opozitë.
Marrë nga REL