Kryesore Bebe Rexha: Do të rikthehem sërish në Shqipëri vitin e ardhshëm

Bebe Rexha: Do të rikthehem sërish në Shqipëri vitin e ardhshëm

Këngëtarja e njohur, Bebe Rexha erdhi këtë javë në Shqipëri për të dhuruar një shumë të madhe parash për dy familje të prekura nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Bebe dhuroi edhe dy projektet arkitekturore të banesave të familjes në fshatin Bubq dhe në fshatin Bizë, ndërkaq, nuk ngurroi edhe të vizitonte nga afër këto familje.

Artistja e njohur ndërkombëtare ishte e ftuar në emisionin “Lart e Poshtë” të Eraldo Rexhos në RTSH, ku dha intervistën e saj të parë në Shqipëri me gazetarin Andi Vrapi.

E pyetur rreth dhurimit të saj për familjet në nevojë Bebe Rexha: “Në fakt ndihem mirë. Do të doja që të ndihmoja më shumë, por nuk është se jam vetëm unë, po të gjithë ata njerëz që kanë dhuruar, që kanë ndarë lajmin me të tjerë, por është ndjesi e mirë të ndihmosh familje të ringrenë shtëpitë e tyre!. Kur vizitova familjet e prekura ndjeva sikur isha gati të qaja. U trishtova shumë. Shiko, më ishte thyer zemra nga e gjitha kjo sepse më sillte në memorie familjen time. Ata jetonin në tenda dhe kjo më theu zemrën me të vërtetë!”, tha Bebe Rexha.

Gjatë bisedës, krijuesja e hitit “Monster” ka premtuar që do të rikthehet në Shqipëri për të parë se si po ecën ndërtimi i shtëpive për të prekurit e tërmetit. “Do të rikthehem sërish. Ky është qëllimi im! Unë dua të kthehem pasi ato janë rindërtuar, por ato mund të marrin rreth 4-5 muaj për t’u rindërtuar! Unë do të kthehem në pranverë për t’i vizituar sërish”, – u shpreh Bebe Rexha. Nga ana tjetër, ajo ka një lajm të mirë për të gjithë fansat e dashamirësit e saj: “Po punoj për albumin tim më të ri. Pas turneut promovues të albumit do të vij në Shqipëri sërish për të bërë një koncert!”. “Për të qenë më shumë e sinqertë, do të jetë diçka mes fundit të verës dhe vjeshtës së ardhshme!”, – tregoi këngëtarja shqiptare.

Kështu që, filloni kurseni sepse Bebe Rexha do të rikthehet!