Raportimet për vendosjen e mundshme të anijeve amerikane në një zonë aktuale konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës po alarmojnë vendet në rajon, të cilat kryesisht nuk duan të përfshihen.
Nga Ana Maria Luca, Martin Dimitrov, Madalin Necsutu, Hamdi Fırat Buyuk | BIRN
Pasi anijet ruse dhe ukrainase u përplasën në afërsi të ngushticës së Kerçit që lidh Detin e Zi dhe Azov në fund të nëntorit, frika për një përshkallëzim të mëtejshëm u përhap në pjesën tjetër të rajonit.
Më shumë ankth pati pasi CNN njoftoi më 5 dhjetor se SHBA-ja po përgatitej të dërgonte një anije luftarake në Detin e Zi.
Në lajme kishte shumë pak gjëra “të reja”, pasi anijet e SHBA-së mund të hyjnë në Detin e Zi përmes Bosforit dhe Dardaneleve sipas Konventës së Montrosë të vitit 1936.
Megjithatë, kjo gjë ka nxitur mendime të ndryshme në Turqi, Bullgari, Rumani dhe Moldavi lidhur me përfshirjen e mëtejshme të SHBA-së në rajon.
Sipas analistëve, edhe pse Moska po e ndjek nga afër Rumaninë, Moldavinë dhe Bullgarinë midis zhvillimeve të fundit, këto tri vende në dukje nuk duan të përfshihen. Rumania nuk ka lëvizur për të ngritur forcat e saj në Detin e Zi, politikanët moldavë po i përdorin tensionet për përfitime zgjedhore dhe qeveria e Bullgarisë vazhdon të ruajë një marrëdhënie komode me Moskën, pavarësisht se anon nga BE-ja dhe NATO-ja në lidhje me krizën ukrainase.
Pajtimi me kushtet e Konventës së Montrosë
Konventa e Montrosë i jep Turqisë kontroll të plotë mbi dy ngushticat e Detit të Zi që e lidhin atë me Mesdheun.
Ajo garanton kalimin e lirë të anijeve civile në kohë paqeje dhe rregullon gjithashtu tranzitin e anijeve luftarake.
Sipas kushteve të traktatit, numri i forcave detare të huaja jo të Detit të Zi që mund të kalojnë përmes ngushticës turke është i limituar në nëntë me një tonazh total agregat prej 15,000 tonësh.
Transportuesit e avionëve dhe nëndetëset e kombeve jo të Detit të Zi nuk lejohen dhe anijet e huaja mund të qëndrojnë vetëm deri në 21 ditë.
Kalimi nëpër ngushtica që i përmbahet këtyre rregullave nuk mund të mohohet nga Ankaraja dhe vendet dërguese janë të detyruara ta lajmërojnë Turqinë vetëm nëpërmjet kanaleve diplomatike 15 ditë përpara.
Autoritetet turke dhe ato amerikane thanë për BIRN se vendosjet në Detin e Zi i përmbahen në mënyrë strikte rregullave të Konventës.
“Rusia, Shtetet e Bashkuara, vendet e NATO-s dhe kryesisht Turqia janë shumë të ndjeshme në lidhje me regjimin e Konventës së Montrosë për ngushticat turke duke qenë se kjo është një çështje që ndryshon lojën në të gjithë globin.”
“Askush nuk beson se Turqia do t’i lejojë anijet amerikane të kalojnë ngushticat turke në shkelje me Montronë,” tha për BIRN Kerim Has, një ekspert në Moskë për çështjet ruse dhe turke.
Has shtoi se çdo devijim nga kjo do të dëmtonte pretendimet e Turqisë për pasje kontrolli të plotë mbi ngushticat.
Kjo nuk ndodhi gjatë luftës më “të nxehtë” në Gjeorgji në vitin 2008 dhe ka akoma më pak gjasa të ndodhë tani, tha ai.
Has beson se SHBA-ja dhe aleatët e saj po punojnë mbi një tjetër model. “Plani është që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët t’i kthejnë anijet në Detin e Zi dhe të dërgojnë anije deri në maksimumin e kapacitetit që lejon Montroja,” tha ai.
“Vetëm kjo situatë e sikletos Rusinë dhe Turqia nuk ka të drejtë të thotë ‘jo’ në këtë situatë.”
Anija e fundit amerikane e vendosur në Detin e Zi ishte anija e shpejtë e transportit USNS Carson City, e cila qëndroi për 15 ditë në gusht.
Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara tani mund të vendosin lirisht pjesë të Flotës së saj të 6-të, për sa kohë që ato i përmbahen rregullave të Montrosë.
Megjithatë, duke qenë se më i vogli nga shkatërruesit e saj, USS Porter, peshon 9,000 ton kur është plot, Uashingtoni nuk ka gjasa të vendosë më shumë se dy anije, gjë të cilën e bëri për herë të fundit në vitin 2014.
Rusia i është përgjigjur fjalëve për vendosje të tjera të Shteteve të Bashkuara.
Një korvetë e re raketore, Orekhovo-Zuyevo, mbërriti në Sevastopol, Krime, më 7 dhjetor, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Tass.
Por Has thotë se Moska është më e shqetësuar për vendosjet e reja të NATO-s në Rumani dhe Rusi sesa në Detin e Zi.
“Pozicionimi i Rumanisë, Moldavisë dhe Bullgarisë po ndiqet nga afër nga Moska në mes të zhvillimeve të fundit.
“Nga ana tjetër, Turqia po përpiqet të rrijë larg këtyre çështjeve për shkak të problemeve ekzistuese me Perëndimin dhe afrimit të saj të fundit me Rusinë,” vuri në dukje ai.
Rumania ende jo shumë e shqetësuar
Analistët thonë se, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që NATO të shtojë forcat e saj në rajonin e Detit të Zi, Rumania mbetet çuditërisht e qetë për zhvillimet e fundit, duke pasur parasysh gjendjen e dobët të ushtrisë së saj.
Më 26 nëntor në Paris, presidenti Klaus Iohannis tha “nuk kishte arsye që Rumania të shqetësohej” për incidentet e fundit në Detin Azov.
“Ne jemi të gatshëm për çdo skenar, por, siç kanë thënë aleatët tanë të NATO-s dhe miqtë tanë të BE-së – dhe ne jemi dakord – i kërkojmë palëve të përfshira të ruajnë qetësinë dhe të përpiqen ta zbusin situatën,” shtoi ai.
Bogdan Nedea, një specialist rumun në Partneritetin Lindor dhe Kaukazin, tha për BIRN se pavarësisht rolit ambicioz që Rumania dëshiron të luajë në krahun lindor të NATO-s, ajo ka bërë shumë pak ose në nivel ushtarak ose në nivel diplomatik për të ndihmuar fqinjin e saj, Ukrainën.
“Rumania nuk është një objektiv i vërtetë për Rusinë, pavarësisht se ka një bazë ushtarake amerikane dhe pavarësisht se Moska thotë gjithmonë se e konsideron Rumaninë një kërcënim për shkak të kësaj,” shpjegoi ai.
Rusia kurrë nuk e ka parë Rumaninë si një objektiv të vërtetë në të njëjtën mënyrë siç sheh Shtetet Baltike – të cilat dikur i përkisnin Bashkimit Sovjetik dhe ku ka shumë pakica ruse.
Edhe pse Rumania ka qenë aktive vitet e fundit në bindjen e vendeve të NATO-s për të rritur praninë e aleancës në Detin e Zi, ekziston një hendek i madh midis bërjes së këtyre deklaratave nëpër samite dhe mobilizimit konkret në terren – që nënkupton gjithashtu bindjen e Bullgarisë dhe Turqisë që të bashkëpunojnë – tha Nedea.
Një përpjekje e dështuar për të formuar një flotë të vogël të përbashkët me anije ukrainase, turke, rumune dhe bullgare nga vera e vitit 2016 tregoi se sa problematik është bashkëpunimi në Detin e Zi.
Për më tepër, theksoi Nedea, Moska e di mirë gjendjen e dobët të ushtrisë rumune.
“Atyre u mjafton vetëm të shikojnë televizor në ditën kombëtare të Rumanisë dhe do të shohin se si avionët nuk ngrihen dhe transportues të ndryshëm ushtarakë prishen gjatë paradave,” vuri në dukje ai.
Ai vuri në dukje gjithashtu se pavarësisht qëndrimit të saj anti-rus, Rumania kurrë nuk ka bashkëpunuar ngushtë me Ukrainën, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve rreth të drejtave të minoriteteve rumune atje.
“Rumania nuk i ka ofruar kurrë ndihmë Kievit, ndërsa Rusia përpiqet ta shtrydhë fare ekonominë e Ukrainës dhe të ndikojë në zgjedhjet e saj të ardhshme,” tha Nedea.
“Do të ishte mirë sikur qeveria rumune të kuptonte se duke shtrirë një dorë ndihme, ajo do të ndihmonte veten, sepse ky konflikt nuk është dhe aq larg dhe ne ndajmë bashkë 700-800 kilometra kufij,” shtoi ai.
Moldavia bën një sy qorr, pavarësisht shqetësimeve rreth Transnistrisë
Ndërsa veprimi agresiv i Rusisë shqetëson Moldavinë, ai shihet gjithashtu si një çështje politike që duhet të shfrytëzohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të planifikuara për në 24 shkurt.
Mobilizimi ushtarak i Rusisë pranë kufirit të Ukrainës do të ndikojë gjithashtu në katër batalionet që ajo ka në rajonin e shkëputur të Moldavisë, Transnistri.
Moska vendos rreth 1,500 ushtarë atje në dy misione: një trupë e ashtuquajtur paqeruajtëse dhe një tjetër që ruan depozitën e municioneve në Cobasna, e cila fillimisht ruhej nga Ushtria e 14-të Sovjetike.
Objektivi real i batalioneve ruse në rajon është të mbajë një prani në rajon derisa të arrijnë përforcime të mëtejshme ose të veprojnë si një forcë tronditëse pranë Detit të Zi, thonë ekspertët.
Eksperti ushtarak Rosian Vasiloi tha për BIRN se njoftimet e fundit të një pranie ushtarake amerikane të zgjedhuar në Detin e Zi kanë për qëllim t’i ndryshojnë mendje Rusisë, duke i kujtuar asaj se Uashingtoni do të mbrojë aleatët e tij në rajon, sidomos Rumaninë, si një anëtare e NATO-s.
“Ata që besojnë se Vladimir Putin i la në sirtar planet për “Rusinë e Re”, gabohen shumë,” tha ai, duke u referuar planeve të supozuara të Rusisë për të zgjeruar kufijtë e saj më tej në Ukrainë.
Vasiloi beson se Rusia mbetet e vendosur në aneksimin e rajoneve jugore të Ukrainës dhe në “aneksimin de facto” të Detit Azov, duke rritur gjithashtu ndikimin e saj në Detin e Zi.
Megjithatë, ai tha se Moldavia kishte bërë pothuajse çdo gjë që nga konflikti i saj në vitin 1992 për të rritur kapacitetin e saj ushtarak, ndërsa Rusia po intensifikonte stërvitjen ushtarake së bashku me ushtrinë e Transnistrisë.
Moldavia shpenzon 0.39 për qind të GDP-së së saj në forcat e armatosura. Një rritje e premtuar në buxhetin e mbrojtjes rezultoi thjesht një deklaratë populiste, pasi buxheti i mbrojtjes për vitin 2019 është akoma më i vogël se ai i vitit 2018.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë thotë se Rusia dhe Transnistria kanë kryer mbi 200 stërvitje të përbashkëta ushtarake vetëm në vitin 2017.
Megjithatë, analisti politik dhe ushtarak Mihai Isac e shikon një prani ushtarake amerikane në Detin e Zi, së bashku me vizitat e përsëritura të liderëve moldavë të partisë qeverisëse në Uashington, si pjesë e fushatës zgjedhore në vend.
“Njoftimi i Shteteve të Bashkuara se do të dërgojë një anije në Detin e Zi ka më shumë rëndësi politike sesa ushtarake për autoritetet në Kishinau.
“Ata po përpiqen të marrin një qëndrim më pro-amerikan, ndërsa marrëdhëniet me BE janë pothuajse të ngrira, përpara zgjedhjeve në shkurt 2019,” tha Isac.
Por ai paralajmëroi se, në kontekstin e një pranie më të madhe ushtarake amerikane në rajon, Moska mund të aktivizojë edhe kapacitetet e saj ushtarake atje.
Ai tha se nëse gjendja e sigurisë në rajonin e Detit të Zi përkeqësohet, duhet pritur gjithashtu edhe shtimi i stërvitjeve ushtarake ruse në rajonin Transnistrisë.
Ai më tej tha se autoritetet separatiste në Tiraspol tashmë kanë njoftuar se ushtria e tyre dhe forcat ruse do të vazhdojnë stërvitjet e përbashkëta ushtarake, pavarësisht nga protesta e Kishinaut dhe organeve të tjera ndërkombëtare.
Ndërkohë, përfundoi ai, lidhja e Partisë Demokratike në pushtet me SHBA-në ka të gjasa të bëjë për vete votuesit pro-perëndimorë në Moldavi – dhe partia do ta shfrytëzojë këtë sa më shumë që mundet.
Bullgaria ende e pavendosur
Bullgaria vazhdon të mbajë një marrëdhënie të mirë me Moskën pavarësisht se është në anën e BE-së dhe NATO-s përsa i takon krizës ukrainase dhe dërgoi vetëm një mesazh të përzier pas përballjes së fundit të detit Azov.
Fillimisht, si presidenti Rumen Radev ashtu edhe qeveria morën një qëndrim të kujdesshëm duke i bërë thirrje të dyja palëve që të ruanin qetësinë.
Megjithatë, më 30 nëntor, presidenti Radev mori një ton më pro-rus, duke thënë se Europa “nuk duhet të bëhet peng i politikës dhe ambicieve të brendshme të Ukrainës”, duke i bërë jehonë qartazi deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin.
Kryeministri Boyko Borissov ndoqi të njëjtën linjë, duke paralajmëruar presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, se edhe nëse zgjedhjet në Ukrainë “po afronin, presidenti rus nuk është një njeri me të cilin mund të bësh shaka, sidomos përsa i takon luftës”.
Ai më pas iu kthye temës së tij të preferuar – tubacionet e gazit dhe shpërndarësi i shumëpritur i gazit “Ballkan” i cili, sipas planeve më të fundit, supozohet të furnizohet me lëndë djegëse të lëngshme që vjen nga gazsjellësi Turk që duhet të lidhë Ankaranë dhe Moskën.
“Në të tilla rrethana, do të jetë shumë e vështirë të sigurojmë dërgesat e gazit,” tha Borissov, duke shtuar se ai nuk e mbështet qëndrimin e Uashingtonit dhe Kievit kundër lidhjes së planifikuar të gazit North Stream II, pasi kjo do të nënkuptonte se asnjë gaz rus nuk do të kalonte përmes Turkish Streams drejt Bullgarisë.
“Kjo është totalisht kundër interesave bullgare si fqinje detarë e Rusisë dhe Ukrainës. Ky konflikt është një kërcënim i qartë,” përfundoi ai.
Përsa i takon vendosjes së mundshme të anijeve amerikane në Detin e Zi, qeveria bullgare ka mohuar të jetë e informuar për lëvizje të tilla.
“Nuk kemi marrë ndonjë informacion se Shtetet e Bashkuara kanë ndërmend të dërgojnë më shumë anije në Detin e Zi në lidhje me situatën në Ukrainë. Nuk jemi informuar për këtë,” tha këtë javë ministri i mbrojtjes Krasimir Karakachanov, i cituar nga Radioja Kombëtare Bullgare.
Velizar Shalamanov, ministër i mbrojtjes në qeverinë e përkohshme të vitit 2014 dhe një anëtar i Këshillit Atlantik pro-NATO të Bullgarisë, tha për BIRN se qëndrimi i Bullgarisë ishte hutues.
“Mungon uniteti në lidership kur ajo që na duhet neve është një qëndrim i bashkuar, duk u konsultuar me Rumaninë në BE dhe në NATO me Turqinë dhe aleatë të tjerë,” tha ai.
Ai përmendi shembullin e krizës në Kosovë të vitit 1999, kur Bullgaria mbajti një pozicion të qartë dhe konsekuent pro-perëndimor.
Kjo “ishte tepër e rëndësishme për mbrojtjen e interesave bullgare dhe arritjen e qëllimit strategjik të sigurisë, si edhe për anëtarësimin në NATO dhe BE”, përfundoi ai.