OFL ka dërguar formularin për justifikimin e pasurisë për 3 persona banues në Kurbin dhe Lezhë.
Sipas OFL këta persona janë të dënuar për shfrytëzim prostitucioni, trafikim të lëndëve narkotike dhe Vrasje në rrethana cilësuese.
Ata janë: Gëzim Çelaj, Arben Prendi, Perikli Marku.
Por kush është Gëzim Çela i cilësuar si “baroni i drogës”?
Prokuroria për Krime të Rënda do të niste në vitin 2014 dhe do të njoftonte se kishte krijuar dyshime se shtetasi Gëzim Çelaj dhe Valentina Tufa e cilësuar si “tezja e kokainës”, kishin krijuar kontakte me shtetas të ndryshëm shqiptarë në Shqipëri, Kosovë e SHBA, për të trafikuar lëndë narkotike kokainë, nga vendet e Amerikës Latine, në drejtim të Kosovës, Shqipërisë e më tej, në vendet e Bashkimit Europian.
Gjatë një operacioni të drejtuar nga kjo Prokurori, në bashkëpunim me autoritetet policore shqiptare, si edhe me autoritetet gjyqësore të Kosovës, në datë qershor të 2014, u arrestua në pikën kufitare të Morinës shtetasi Realt Hysolli.
Hysollit iu gjetën 7 kilogramë kokainë, të cilat sipas prokurorisë, ishin për llogari të shtetasit Gëzim Çela.
Asokohe, në kohë reale, policia shqiptare organizoi operacionin për arrestimin e personit “kyç” të këtij trafiku, Gëzim Çelës.
U bënë kontrolle në banesën e tij në Fushë-Kuqe, të Laçit, si edhe në apartamentin e tij, në Tiranë, por nuk u bë e mundur gjetja dhe arrestimi i tij.
Sipas Prokurorisë, nga kontrolli në banesën e Gëzim Çelës në Fushë-Kuqe, u gjetën dhe u sekuestruan 207 kg lëndë narkotike kanabis, 5 kg lëndë narkotike heroinë, lëndë përzierës për lëndën narkotike, si edhe 13 armë luftarake.
Ndërsa në banesën që Çela posedonte në Tiranë, u gjetën rreth 143 mijë euro, një pistoletë, si edhe një sasi lënde narkotike, heroinë.
I njohur si “bosi i trafikut të drogës” që vinte nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë e Shqipërisë, drejt Kosovës dhe vendeve Perëndimore. Çela i cili u akuzua për trafik ndërkombëtar kokaine para vitit 1997, ka qenë oficer i Forcave Speciale.
Çela sëbashku me Arben Prendin dhe Perikli Markun, do të duhet të deklarojnë pasurinë, brenda 48 orëve, ndërsa do të jetë SPAK që do të vendosë për fatin e pasurisë së tyre.