Kryesore Meta, bisedë telefonike me Bashën: Këshillat e mia për opozitën

Meta, bisedë telefonike me Bashën: Këshillat e mia për opozitën

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha mëngjesin e sotëm.

Këtë fakt e ka pohuar vetëm kreu i shtetit gjatë një konference për shtyp. Por, nuk ka dhënë detaje për çfarë bisedoi me liderin e opozitës.

“Kam patur një telefonatë zyrtare me z.Basha këtë paradite e kërkuar prej tij, por kaq mund të them. Mesazhi im është jepuni shqiptarëve atë të drejtë që u takon”.

Presidenti ka zbuluar edhe këshillat që i ka dhënë opozitës për reformën zgjedhore, si duhet të veprojë dhe çfarë duhet të kërkojë, sidomos pas ngjarjes së shembjes së Teatrit Kombëtar, një “provokim” siç e konsideron vetë Meta.

“Mesazhi im për opozitën ka qenë ky: Gjithçka për konsensus, mesazhi im për opozitën që kur u shkatërrua në mënyrë të paligjshme teatri, ka qenë mos bini pre e provokimit të radhës për t’u larguar nga tryeza e reformës. Qëndroni tek ato elementë bazikë për të cilat do të kenë përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Mesazhi im i fundit për sot është që duhet të kuptojmë që qasja e re e metodologjisë së zgjerimit të BE e rrezikon jo vetëm perspektivën e shpejtë të çeljes së negociatave, por rrezikon dhe këto arritje formale që kemi. Nëse Shqipëria bën hapa prapa, Shqipëria humbet shumë nga këto mundësira që ka fituar deri tani”.

Meta thotë se nuk ka qenë pjesë e negociatave dhe diskutimeve për reformën zgjedhore, të zhvilluar intensivisht gjatë ditëve të fundit mes partive politike me ndërmjetësimin e ambasadorëve.

“Nuk  kam qenë pjesë e diskutimeve dhe as nuk e shoh të arsyeshme të bëhem pjesë. Apeloj përsëri për konsensus sa më të shpejtë sepse është detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë që duhet siguri që vota e tyre do të jetë e lirë dhe e barabartë. Së dyti është detyrim ndaj procesit të integrimit europian. Data 8 Qershor është e rëndësishme. Duket që ka një progres nga të gjitha raportimet që janë bërë dhe duket që çështja ka mbetur për mirëbesim në disa aspekte apo elementë që nuk duhet të rrezikojnë konsensusin”.

Meta, takim 90 minuta me ambasadoren amerikane

Po sot, presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim në zyrën e tij ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.

Takimi mes tyre ka zgjatur rreth 90 minuta, dhe në përfundim nuk ka patur asnjë komunikim për median nga ana e ambasadores. Temë e diskutimit mes tyre mund të ketë qenë reforma zgjedhore.