Në kërkim të drejtësisë, një nënë shqiptare ka vendosur që t’i tregojë publikut fotografitë e kufomës së të birit. Bëhet fjalë për Lena Dodajn, nëna e Maringlen Dodajt, 25-vjeçarit shqiptar i cili më 18 Nëntor të 2011-s humbi jetën pasi ra nga tarraca e një ndërtese në Narni Scalo, gjatë kohës që po punonte.
Mëngjesin e kësaj të marte, ajo u shfaq para gjykatës së Terni-t në Itali. Me vete kishte një tabelë ku shfaqeshin dy fotografi të të riut të pajetë, ndërkohë që ndodhej i zhveshur dhe i shtrirë përtokë në dyshemenë e urgjencës në spitalin Santa Maria, ku ishte shtruar pas aksidentit të rëndë.
Foto që nëna shqiptare tha se i kishte zbuluar kohët e fundit në një fashikull të prokurorisë. “Mbeta e shokuar kur i pashë. Im bir është poshtëruar si gjallë ashtu dhe vdekur”.
Siç shkruan ANSA, hetimet për stafin mjekësor janë hapur disa herë, por kanë pasur gjithnjë të njëjtin fat, duke u mbyllur.
“Apeli im për prokurorin e Peruxhias është që të ndërhyjë për këtë çështje të tmerrshme”, tha Lena Dodaj, ndërsa theksoi se ishte e gatshme ta vijonte protestën e saj para të tjera zyrave gjyqësore në rajon.