Marina argjentinase këmbëngul se nëndetësja e zhdukur ka qenë në kushte të mira dhe se kishte kaluar me sukses kontrollet për sigurinë, përpara se të nisej me mision trajnimi 10 ditë më parë.
Disa të afërm të 44 pjesëtarëve të zhdukur të ekuipazhit të saj pretendojnë se mjeti lundrues 34-vjeçar ishte në gjendje të mjerueshme. Kontaktet e fundit të nëndetëses “ARA San Juan” me autoritetet marinare janë shënuar më 15 nëntor, e prej atëherë nuk dihet më asgjë për fatin e saj.
Shpresat për të gjetur të mbijetuar tashmë janë venitur mes të afërmve të tyre, edhe pse përpjekjet për kërkimin e saj tashmë kanë marrë përmasa ndërkombëtare.
“Jemi në një fazë kur edhe shpresojmë, edhe dëshpërohemi në të njëjtën kohë”, tha zëdhënësi i Marinës argjentinase, Enrique Balbi. “Megjithatë, në këto momente duhet të udhëhiqemi vetëm nga provat e forta. Jemi ende të fokusuar në gjetjen e nëndetëses”, shtoi ai.
Në një deklaratë për shtyp, Balbi tha se nëndetësja kishte bërë kontrollin e fundit të sistemit operativ dy ditë përpara se të nisej për lundrim me mision trajnimi. “Nëndetëset nuk mund të lundrojnë nëse nuk janë në gjendje optimale. Nëse ajo është nisur për lundrim, kjo do të thotë absolutisht se ka qenë në gjendje për ta bërë këtë gjë”, deklaroi ai.
Të afërm të ekuipazhit u mblodhën në bazën detare të nëndetëseve ditën e shtunë për të marrë pjesë në një ceremoni fetare, aty ku atyre iu bashkuan edhe me qindra mbështetës. Disa raportohet të kenë nisur ditët e zisë mortore, duke iu frikësuar faktit se mund të jetë shumë vonë për ata që të jenë ende gjallë.
Të premten, presidenti i vendit tha se një hetim duhej nisur tashmë për të zbuluar të vërtetën, pas mbi një jave paqartësish dhe spekulimesh. Nëndetësja po kthehej nga një mision rutinë në Ushuaia, pranë brigjeve më jugore të Amerikës së Jugut, kur raportoi një “defekt elektrik”.