Prokuroria e Krimeve të Rënda publikoi detaje të reja lidhur me arrestimet për sasinë e 2.5 tonëve kanabis që u kap në janar në Ankona.
Pas kapjes së nënkomisarit të Fierit, Festim Lelaj në pranga ranë dhe katër persona, dy prej të cilëve efektivë policie, si të përfshirë në trafikun e kanabisit.
Sipas prokurorisë, dy efektivët e Drejtorisë së Kufirit në Durrës, Gëzim Dervishi dhe Agron Kapllani u arrestuan ndërsa bashkë me ta u kapen edhe dy doganierët Altin Katundi, e Mikail Hila. Urdhrat e ndalimit u ekzekutuan nga Policia e Shtetit.
Hetuesit arritën ne përfundimin se Festim Lelaj nënkomisari i policisë së Fierit dyshohet se kishte rolin e koordinatorit ne grupin që trafikoi nëpërmjet një kamioni sasinë e madhe të kanabisit. Në pranga gjatë së martës ranë edhe Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa.
Grupi mbahej prej kohësh në vëzhgim kjo pas dyshimeve se i përfshirë drejtpërdrejt ishte nënkomisari.
Hetimet u zhvilluan edhe me bashkëpunimin e autoriteteve italiane, të cilat zbuluan kamionin me lëndën narkotike qe drejtohej nga shqiptari Dhimo Koraj.
Në janar për të njëjtin procedim policia arrestoi Demo Progonatin Euron Hotin dhe Malton Lleshin, të cilët ndodhen në burg.
Demo Progonati i cili kishte dhe rolin e shoferit u vu në pranga, si një nga trafikantët kryesorë të rrjetit, por para gjykatës ai tha se ishte vetëm një drejtues i mjetit.