Në Hungari, opozita mbajti zgjedhjet, nga të cilat eurodeputetja Klára Dobrev fitoi raundin e parë të një gare për t’u bërë kandidatja e përbashkët për kryeministre të Hungarisë.
Ky votim është pjesë e një përpjekjeje të gjashtë partive të opozitës për një front të bashkuar që do të sfidojë kryeministrin Viktor Orban në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Dobrev, e cila është nënkryetare e Parlamentit Evropian, mori 214 319 vota – 34.8 përqind të totalit dhe e cilësoi rezultatin një “sukses historik”.
Pjesë e Koalicionit Demokratik të majtë liberal dhe anëtare e grupit Socialistët dhe Demokratët në Parlamentin Evropian, Dobrev njihet si politikane energjike. Ajo është gruaja e ish-kryeministrit hungarez, Ferenc Gyurcsány, i cili ende udhëheq Koalicionin Demokratik.
Kryebashkiaku i Budapestit, Gergely Karácsony, doli në vendin e dytë me 27.3 përqind të votave dhe kryetari konservator i qytetit jugor të Hódmezővásárhely, Péter Márki-Zay, doli i treti me 20.4 përqind, raporton Politico.
Tre kandidatët tani do të përballen në një raund të dytë votimi, që do të mbahet midis 4 dhe 10 tetorit.
Vitet e fundit, kryeministri hungarez është përplasur disa herë me Bashkimin Europian për një sërë çështjesh që nisin nga qëndrimi i tij për emigrantët, ai për filantropin Xhorxh Soros, të drejtat e homoseksualëve etj.
Për shkak të këtyre përplasjeve është diskutuar disa herë mundësia e largimit të Hungarisë nga BE-ja.