Një shëtitje në ishujt Borromee në Lago Maggiore
Nga Ndue Lazri
Kur zbresim në qytetin e vogël por të bukur, Stresa, në breg të Lago Maggiore, vetvetiu më vjen ndërmend shkrimtari i madh Ernest Heminguei, i cili ka kaluar në këtë zonë një periudhë të shkurtër pushimesh, kur ishte ende në moshë shumë të re, i pasionuar pas bukurive italiane, por edhe pas vajzave e grave të bukura, që i pati me shumicë gjatë gjithë jetës së tij. (Vetëm martesa ka patur 4).
Gjatë shëtitjeve nëpër Itali më ka qëlluar të takoj shpesh herë gjurmët e këtij gjahtari të së bukurës, që i rrëmbente bukuritë nga realiteti, i përpunonte në laboratorin e tij të mrekullueshëm e plot fantazi dhe i derdhte pastaj kryeveprave që njohim. Në zonën e Piaves pat nisur aventura e tij italiane. Gazetar i ri, 18 vjeçar, me një pasion të çmendur për të përshkruar luftën duke e ndjekur nga vija e parë e frontit, ai vjen nga Amerika e merr pjesë si shofer autoambulance duke ndihmuar të plagosurit. Ishte Lufta e parë Botërore, periudha kur ushtria italiane kishte pësuar disfatën e rëndë në Caporetto kundër forcave austro-hungareze. Më 8 korrik 1918, tek zvarritej mes trupash të vrarë për të tërhequr një të plagosur, ciflat e një predhe mortaje që i shpërthen fare afër, e plagosin në të dy këmbët. Megjithatë ai nuk ndalet, e arrin të plagosurin dhe duke e tërhequr zvarritet me të edhe për 300 metra derisa arrin tek ambulanca. Këtu mbaron iluzioni i tij rinor për pavdekshmërinë, sepse e pa sa afër jetës udhëton ajo. Përfundoi i shtruar në spital në Milano, ku filluan të ndryshojnë edhe pasionet e tij. Njihet me infermieren e bukur Agnes von Kurowski, me të cilën dashurohet marrëzisht. E lidhet me të edhe pasioni për romanet. Agnes do të bëhej Catherine, heroina e romanit “Lamtumirë armë”. Me të ai do të dilte shpesh në mënyrë ilegale nga spitali, ku ishin të ndaluara relacionet e infermiereve me pacientët e shkonte të pinte në lokalet më të mira të Milanos, në Gallerinë “Vittorio Emmanuele”, shikonin spektakle në teatrin “La scala” etj. Në fillim ai e mendonte si dashurinë e jetës së tij, por shpejt do fillonte të gjurmonte bukuroshe të tjera lart e poshtë nëpër Itali e Agnes do ta braktiste, duke u lidhur me një oficer karriere e duke e ruajtur si një kujtim të bukur atë djalosh “që as vetë nuk e dinte se çfarë donte”, siç do të shprehej ajo.
Hemingueit i pëlqente të frekuentonte ambientet e bukura, ku kishte edhe mundësinë të njihej me vajza të bukura e nga familje të pasura. Në Taormina,Sicili, në vilën Faloma do të kishte një aventurë me një bukuroshe nga familja Bronte, e cila do të bëhej personazh i njërit nga tregimet e tij.
Më ka qëlluar të gjej gjurmët e tij edhe në zonën e Dolomiteve, pas të cilave ai ishte i dashuruar veçanërisht, në Cortina d’Ampezzo, Bassano del Grappa, në Verona e Garda ku ai pinte me pasion verën e mrekullueshme Amarone di Valpolicella e ku kishte njohur poetin e famshëm Gabrielle d’Anunzio për të cilin gëzonte një sqimë të madhe. Por më shumë sqimë ruante për Cesare Pavese, fotografinë e të cilit e mbante gjithmonë me vete. Gjurmë të tij i gjen edhe në Rapallo, Liguria ku takohej me miqtë e tij Ezra Pound, Dos Passos e Francis Scott Fitzgerald. Në fillim pati njëfarë tërheqjeje edhe nga figura imponente e Musolinit, por shpejt u zhgënjye dhe kur e pa nga afër në një konferencë shtypi shkroi për të “Është bllofi më i madh në Europë”.
Dhe ja tani, tek jemi me Mozën në Stresa. Edhe këtu gjurmët e Hemingueit. Marrim motobarkën dhe nisemi drejt ishujve Borromee, një nga pikat turistike më sugjestionuese të Italisë, në mes të liqenit më të bukur të gadishullit Apenin, Lago Maggiore. Është ditë me re, por kjo nuk e zbeh bukurinë e liqenit, që është i qetë dhe fluksin e turistëve që mbushin njërën pas tjetrës barkat për në ishujt e vegjël, por të bukur. Janë tre ishuj për të vizituar (në fakt janë 4, por ai më i vogli është i pavizitueshëm nga turistët, pasi është banesë private e familjes, e cila ka lejuar që ishujt e tjerë të vizitohen nga turistët, përfshirë edhe pallatet luksoze të familjes që gjenden në to).
Tek i shikon, të shkon mendja tek ajo ide gjeniale që kanë patur feudalët e fuqishëm të familjes Borromeo, të cilët e blenë këtë arqipelag të vogël por magjik në shekullin e katërmbëdhjetë, duke i dhënë këtij krahu të liqenit emrin e familjes në atë që quhet Gjiri Borromeo. Ishte Vitalino I Borromeo, pasardhës klerikësh të lartë me influencë në Toscana e Lombardia, që i bleu këto prona e të tjera dhe me kalimin e viteve, bashkë me pasardhësit e tij, i kthyen ato në një bukuri të pashembullt e dehëse për çdo vizitor.
Vizita fillon me ishullin më të vogël, që e quajnë Ishulli i Peshkatarëve. Në fakt familja Borromeo e ka lënë atë të shndërrohet në një lagje të vogël peshkatarësh, ku zotërojnë gjelbërimi dhe ngjyrat e qeshura të banesave. Pak shtëpi, ku banojnë më pak se njëqind banorë, dy hotele, shumë barka e rrjeta peshkatarësh, shumë lokale ku gatuhet kryesisht peshk, shumë dyqane suveniresh. Rrugë tepër të ngushta mes ndërtesash të vjetra, ku lëvizin e fotografojnë turistët. Kontakti i ujit me ishullin është lënë qëllimisht ashtu i natyrshëm, me shkëmbinj e gurishte ku myshku i jeshiltë transformon ngjyrën e ujit. Pak bankina, ku ankorohen motobarkat që sjellin pa pushim turistë gjatë gjithë ditës. Në verë është e vështirë të gjesh radhë pa prenotim të hipësh nëpër varka, kurse tani në vjeshtë është disi më qetë.
Pas Ishullit të Peshkatarëve, motobarka na çon në Isola Bella (Ishulli i Bukur). Është i njëjti varkëtar simpatik që na ka shoqëruar edhe në ishullin e parë. Tek i afrohemi, arrijmë të kuptojmë se jo më kot i kanë vënë këtë emër dhe jo më kot është më i vizituari ndër ishujt. Në fakt këtë emër ishullit ia dha konti Carlo III, për të nderuar emrin e bashkëshortes së tij bukuroshe Isabella d’Adda.Atij i kanë dhënë formën e një anijeje, ku pjesa e prapme (popa) përbëhet nga pallati trekatësh i familjes Borromeo. Kurse pjesa e përparme përbëhet nga kopshtet që janë më të bukurit e gjithë villegiaturës italiane. Një pallat me shkallët e hyrjes që zbresin deri në ujë. Futemi brenda, ngjitemi nëpër shkallët me një arkitekturë fine e fillon vizita nëpër ambientet që janë njëri më luksoz se tjetri. Salla e mozaikë, vepra arti e mobilime të rralla, triumf i stilit barok në çdo pëllëmbë të tij.
Ambiente që në vite e shekuj kanë tërhequr vizitorë të shquar nga e gjithë Europa, ndër të cilët Napoleon Bonaparti, dhoma e të cilit ruhet edhe sot ashtu siç ishte kur priti perandorin francez në vitin 1797, me shtratin baldakin në qendër. Përreth sallës së fronit janë edhe salla e muzikës me instrumente, salla e vallzimit, salla e tapeteve, salla e enëve të kuzhinës me pjatancat e pjatat ngjyrë blu, salla e pikturave e koleksionit të familjes, ku janë ekspozuar vepra të piktorëve të mëdhenj si Tiziano, Raffaello, Correggio, Guido Reni e të tjerë. Kjo sallë është hapur për publikun vetëm në fillim të këtij shekulli të ri. Bukuri të veçantë i jep fakti se të gjitha ambientet kanë dritare prej të cilave shihet panorama e liqenit.
Pastaj zbritet në një kat më poshtë, që e quajnë Grotta (Shpella) por ku vizitori mahnitet me mozaikët që mbulojnë çdo centimetër katror, që nga dyshemeja, kolonat e shumta e harqet e tyre, tavanet. Janë mozaikë të ndërtuar me guralecë lumi të bardhë e të zi. Salla të tëra që kanë dashur vite e vite pune për t’i realizuar.
Prej pallatit kalohet në kopshtet, ku pemët, lulet, shkallët, skulpturat, shtigjet e lulëzuara e të gjelbëruara, pallonjtë e bardhë, gjithçka të fton në një paqe e harmoni që nuk e ke përjetuar kurrë. Duart e mjeshtrave kanë punuar me një fantazi e shije të pashoqe e të duket sikur gjithë këto bukuri burojnë direkt nga uji i liqenit. Dëshiron të ndalesh në çdo hap, të shijosh bukuritë e t’i fotografosh. Por është e pamundur. Do të duheshin ditë të ndaleshe me nge pranë secilës prej tyre.
Më tej është ishulli mëmë, ku pallati në qendër nuk është aq i bukur, por ambientet përreth, kopshtet e tij janë po aq të bukura e kanë specie të tjera lulesh, pemësh, pallonjsh dhe e bëjnë ambientin disi më intim.
Mbase ishte pikërisht ky intimitet që preferoi Heminguei për të kaluar këtu një nga historitë e dashurisë me Biancën, vajzën e një familjeje të pasur torineze, me të cilën ishte gati të martohej. Po shkrimtari aventurier, ndonëse ishte vetëm 18 vjeç, kishte në të njëjtën kohë 4 të dashura italiane, me të cilat ishte gati të martohej. Por nuk përfundoi me asnjërën. Megjithatë Bianca i mbeti për një kohë të gjatë në kujtesë, se mbas shumë vitesh, kur u rikthye një herë nga këto anë, i tha një mikut të tij: Këtu gati u martova. Thuhet që këtu Heminguei shkroi kapitujt e fundit të “Lamtumirë armë” dhe tek heroina qëndrore e romanit të tij kishte shumë Agnes, por edhe një çikë Bianca.
Nuk e lashë pa qëllim në fund Venezien, qytetin me të cilin Heminguei ishte dashuruar në mënyrë të veçantë, qytet i shumë aventurave rinore, ku ai u dha shumë edhe pas pijeve, jo vetëm pas verës italiane që e preferonte mbi të tjerat. Një vit para vetëvrasjes ai kaloi pikërisht në Venezia pushimet e tij të fundit italiane. Ishte aq i lidhur me këtë vend, sa një natë përpara se të vriste veten, siç tregonte gruaja e tij e fundit, ai këndoi strofën e fundit të një kënge italiane, të cilën ia kishte mësuar përkthyesja e tij në italisht Fernanda Piovano. Për këtë vend, ku ai kishte shijuar bukuritë më përfaqësuese të tij, ai shkruante: Shkrimet e mia nga Italia kanë diçka speciale, që mund të shkruhet vetëm në letrat e dashurisë”.
E tek kthehemi me barkë nga ishujt Borromee, i them Mozës: Sa të drejtë kishte Heminguei.