Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, njoftoi këtë të martë nisjen e një vale pastrimi në shërbimin diplomatik.
“Sot unë jam me ju të ndaj faktin se kam vendosur të shkëpus marrëdhënien me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore dhe as minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre. Një pjesë tjetër do të transferohen menjëherë për të vepruar dhe punuar sipas nevojave reale të punës, dhe jo sipas inercionit të së shkuarës. Fillimisht ju informoj se numri i të prekurve nga kjo iniciativë reformatore do të shkojë në mbi 20”, tha Cakaj në një deklaratë për mediat nga Ministria e Jashtme.
Cakaj tha se Shqipëria nuk është e miqve, e kushërinjve politike apo klaneve e krushqive të kujtdo qoftë, por është e të gjithëve pa dallim dhe meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit.
“Kemi gati thirrjen publike për vakancat e krijuara nga kjo valë pastrimi në shërbimin tonë diplomatik”, tha Cakaj duke u bërë thirrje studentëve ekselentë të aplikojnë.
Edhe kryeministri Rama deklaroi dje se studentët ekselentë do të rekrutohen në shërbimin diplomatit, pasi trupa ka nevojë për një pastrim të thellë nga nepotizmi dhe klientelizmi.
“Për pak ditë do të ketë një thirrje tjetër për studentët që kanë mbaruar me 9-ta dhe 10-ta në shërbimin diplomatit, në ristrukturimin për të goditur nepotizmin dhe klientelizimin e së shkuarës.
Kemi bërë një pastrim që nuk mjafton, pasi do të shkojmë më thellë.
Edhe aty thirrja do të jetë për më të mirët. Edhe diçka, doja të shtoja, bordet ndryshuan tërësisht, si reflektim i kërkesës së studentëve dhe që nuk u treguan në lartësinë e duhur në raport me përgjegjësinë”, tha kryeministri.