Edhe pse popullsia e Bullgarisë po pakësohet me ritme të shpejta, ajo ngurron të mirëpresë flukset e emigrantëve
Nëse ferri janë njerëzit e tjerë, atëherë Ekaterina Svetulkova duhet të shkojë patjetër në parajsë. Ajo ulet e vetme duke ngrënë fara luledielli në një stol guri në Banitsa, një fshat në veriperëndim të Bullgarisë, në të cilin ajo ka kaluar 58 vjet nga 82 të jetës së saj, shkruan The Economist.
Njëherë e një kohë, ky qytet gumëzhinte dhe shumë aktorë të famshëm vinin këtu për të dhënë shfaqje të ndryshme për të kënaqur banorët vendas.
Ndërsa tani, znj. Svetulkova psherëtin duke thënë se këtu nuk ka mbetur më asnjë shpirt i gjallë. Me fëmijët e saj të larguar në shtete të tjera dhe me shumë pak miq të mbetur pranë, ajo shprehet se në rast të ndonjë aksidenti, ajo nuk do të dijë se ku të kërkojë ndihmë. Dhe është pikërisht kjo arsyeja kryesore që e ka shndërruar këtë vend, ku frika ndaj vetmisë është e madhe, thotë ajo më tej.
Projektet e Kombeve të Bashkuara që popullsia e Bullgarisë do të bjerë nga 7.2 milionë në 5.2 milionë deri në vitin 2050, do ta shndërrojnë atë në vendin me rënien më të shpejtë në Europën Lindore. Kjo katastrofë demografike, e përqendruar kryesisht në fshat, ndihet më shumë në veri të Bullgarisë, rajonin më të varfër të këtij shteti, njëkohësisht më i varfri në Bashkimin Europian.
Çdo vit, qyteti në afërsi të Vratsas, një qendër industriale e dikurshme tashmë ka vetëm 2,000 banorë. Punëdhënësit thonë se nuk mund të gjejnë punëtorë të kualifikuar, ndërsa vendasit thonë se nuk ka punë. Njerëzit këtu janë shumë të varfër, ndër më të palumturit në Europën Lindore dhe me dëshirën e madhe për t’u larguar, për të jetuar dhe për të punuar diku tjetër, në një vend tjetër, jashtë Bullgarisë.
Kalin Kamenov, Kryebashkiaku i Vratsës, thotë se pa investime dhe pa mbështetje nga shteti, qyteti i tij praktikisht do të zhduket në një periudhë dhjetëvjeçare.
Bullgaria paraqet ndoshta rastin më ekstrem të shpopullimit, që po ndikon njëkohësisht edhe në pjesën më të madhe të Europës Lindore. Tranzicioni postkomunist ishte veçanërisht traumatik dhe ndodhi shumë vonë në këtë shtet.
Në vitet 1990, niveli i lindshmërisë u përkeqësua dhe qindra mijë të rinj u larguan në vendet më të pasura dhe më të qëndrueshme të Europës Perëndimore, duke lënë në këtë vend të moshuarit dhe të rinjtë e pakualifikuar.
Në ditët e sotme, mbi 1 milion bullgarë jetojnë jashtë vendit të tyre, me rreth 700,000 prej tyre brenda kufijve të BE-së.
Vendet e Europës Perëndimore, si Gjermania kanë popullsi me moshë më të vjetër, por pasuria e tyre i bën ato që të përballojnë dhe të kapërcejnë më me lehtësi implikimet fiskale të një fuqie punëtore në rënie dhe mbi të gjitha, ato (kryesisht Gjermani) po mirëpresin një numër të madh emigrantësh në vendin e tyre.
Në Bullgarinë që po plaket me shpejtësi, tashmë vendi i pestë me popullsinë më të vjetër të Europës, gati 60% e pensionistëve janë shumë të varfër, madje nën nivelin e varfërisë të caktuar nga qeveria, duke marrë më pak se 321 leva në muaj (196 dollarë amerikanë).
“Ne kemi të njëjtin problem me atë që ka edhe një vend i pasur, por ne fatkeqësisht nuk jemi të pasur”, shprehet Georgi Angelov, një ekonomist në institutin “Open Society” në Sofje. Ndërkohë, qeveritë kanë nxjerrë strategji të pafundme për të ndalur rënien demografike.
Por, fatkeqësisht asnjëra prej tyre nuk ka ndikuar në përmirësimin e situatës. Duke folur mbi lulëzimin e Sofjes, një nga pak qytetet në Bullgari me një popullsi në rritje, Valeri Simeonov, zëvendëskryeministri, i ngarkuar me politikën demografike, po vijon me planet për të ulur nivelin e papunësisë, si dhe duke shtuar nivelin e fuqisë punëtore, duke tërhequr punëtorët e huaj të shteteve fqinje, madje edhe nga pakicat bullgare në Ukrainë apo Moldavi.
Disa mijëra prej tyre punojnë në plazhe të ndryshme dhe në rezortet e skive, sipas sezoneve të caktuara turistike. Një prej objektivave kryesore të politikave është që të tërheqin sa më shumë njerëz të munden në këtë shtet dhe mbi të gjitha, për një kohë sa më të gjatë.
Simeonov mburret se për tetë muaj, qeveria e tij ka ndërmarrë shumë hapa në përmirësimin e rënies së theksuar demografike, në krahasim me të gjithë paraardhësit e tij. Megjithatë, edhe këtu ka diçka që nuk shkon siç duhet.
Simeonov, i cili udhëheq Fronin Kombëtar të Ekstremit të Djathtë për Shpëtimin e Bullgarisë, thotë se kërkimi i tij për përthithjen e sa më shumë talenteve, i përjashton emigrantët, të cilët ai i konsideron si “aventurierë”, në kërkim të marrjes së parave të shtetit në të cilin shkojnë dhe që më pas largohen bashkë me to. Kryesisht, edhe në sajë të një postblloku kufitar, ku rojat kufitare përmenden për brutalitetin që i karakterizon, një numër i madh emigrantësh që u larguan nga Turqia gjatë viteve 2015-‘16 nuk zgjodhën Bullgarinë si vend kalimi apo qëndrimi, por Greqinë.
Por kjo nuk ka qenë e vetmja formë mospranimi ndaj emigrantëve.
Radev, Presidenti socialist, është zotuar për të ndaluar shndërrimin e Bullgarinë në “geton e emigrantëve të Europës”. Në vitin 2016, këshilli i Vratsës ndaloi hapjen e qendrave të refugjatëve, edhe pse në fakt, asnjë nuk ekzistonte dhe as që ishte propozuar.
Të shumtë janë ata që e ironizojnë këtë qëndrim ndaj emigrantëve, ndërsa të tjerë shikojnë një logjikë të pastër politike. Sipas Ivan Krastev, një analisti politik, për bullgarët, të cilët po rrezikohen më shumë se të gjithë nga shpopullimi, pranimi i flukseve të mëdha të emigrantëve do të sinjalizonte menjëherë edhe daljen e tyre nga historia, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë më parë.
Gjithashtu Bullgaria nuk është e interesuar t’i shtojë problemet e saj, kur ajo po ndeshet me vështirësi të mjaftueshme në lidhje me refugjatët e saj “ciganë”.
“Shpresojmë të vdesim përpara se të plakemi”
Edhe arsyetimi i refugjatëve është në njëfarë kuptimi i justifikuar, kush do të donte të qëndronte në një vend armiqësor, në një vend me paga të ulëta dhe ku ata nuk janë të mirëpritur, ndërkohë që vendet e tjera të pasura janë po kaq pranë? Ndërsa nga ana tjetër, tërheqja e punëtorëve bullgarë për t’u rikthyer dhe për të punuar në atdhe, duket një taktikë shumë e mirë.
Gjatë viteve të fundit, emigrimi është ulur ndjeshëm dhe shumë bullgarë po kthehen në atdhe, por për shkak të nivelit të ulët të lindjeve, pjesërisht si pasojë e eksodit të mëparshëm të të rinjve, popullsia vendase po ulet gjithnjë e më shumë (p.sh. në qytetin e Vratsës, ajo bie me 50,000 banorë çdo vit).
Optimistët marrin si shembull dhe i referohen Estoninë, e cila edhe pse humbi 17% të popullsisë së saj që nga periudha e çlirimit të saj nga sundimi sovjetik, ka gëzuar së fundmi një rritje të vogël dhe kjo si pasojë e hyrjes së flukseve të huaja.
Polonia, e cila ka marrë qindra mijë ukrainas për t’i vënë në shërbim të ekonomisë së saj, e cila aktualisht po lulëzon, është gjithashtu një model alternativ, por edhe një prej rivalëve kryesorë. Edhe Bullgaria po ecën mirë, me shkallën e punësimit më të lartë se kurrë më parë dhe me financat publike të shëndosha.
Korrupsioni (Bullgaria renditet si vendi më i keq në BE për nivelin më të lartë të korrupsionit nga Transparency International), burokracia, shkollat e këqija dhe bandat kriminale ende të pranishme, e dëmtojnë atë shumë në sy të investitorëve të huaj. Edhe pse siç e përmendëm edhe pak më sipër, numri i bullgarëve që po rikthehen në atdhe po rritet, kjo gjë padyshim që mund të ndikojë në rigjallërimin e ekonomisë së këtij vendi, gjithsesi përmbushja e dëmit demografik të bërë është e vështirë.
Gjithsesi perspektivat e Bullgarisë nuk duken aq të zymta dhe referuar disa anketave të kohëve të fundit, bullgarët po shprehin optimizëm për herë të parë në dy dekada. Por shpresojnë se në të ardhmen të mos jenë edhe më të paktë bullgarët që do të shprehin optimizmin e tyre.