Të gjitha dyshimet nëse Alex Honnold ishte ngjitësi më i mirë i shkëmbinjve i të gjitha kohërave u shuan kur amerikani bëri diçka që askush tjetër në botë nuk e kishte menduar se ishte e mundur.
Në qershor 2017, 33-vjeçari u bë i pari që arrinte të ngjitej në majën e shkëmbit monolit “El Capitan” në Kaliforni, pa asnjë litar mbrojtës. i vendosur në Parkun Kombëtar “Yosemite”, shkëmbi është thuajse 1000 metra i lartë, 150 metra më i lartë se Burj Khalifa, ndërtesa më e lartë në botë.
Në këtë sipërmarrje nuk ka vend për gabime. Nëse rrëshqet, rrëzohesh. E nëse rrëzohesh, vdes…
“Kur e di se çfarë po bëj dhe po ngjitem mirë, atëherë gjithçka duket si një meditim, relaksim, diçka e mrekullueshme”, thotë Honnold për CNN Sport. “Pjesa më e rëndësishme për mua në këtë arritje ishte se mu duk si diçka e zakonshme, si një punë që e bëj përditë. Në fakt kështu duhet të jetë, pasi nëse ngurron për një çast të vetëm, atëherë ngjitja bëhet makth”.
Arritja e tij e jashtëzakonshme është përjetësuar në një dokumentar të National Geographic, që pasi fitoi një Çmim BAFTA, është emëruar për në Çmimet Oscar të këtij viti, ndërsa për publikun do të shfaqet duke filluar nga data 3 mars.