Ashtu si fundjavën e kaluar edhe kjo fundjavë do të jetë e kyçur për bizneset dhe qytetarët, ndërsa do të jetë e hapur me orare vetëm për fëmijët dhe pensionistët.
Të shtunën do të lejohet të dalin vetëm pensionistët deri në orën 11:00 për shëtitje dhe duke ruajtur distancën sociale. Ata nuk lejohet të jenë të shoqëruar me më shumë se një person.
Ndërsa të dielën, dita do i kushtohet nënave më fëmijë deri në moshën 10 vjeç deri në orën 11:00.
Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Në të gjithë vendin, edhe kjo fundjavë do të jetë e mbyllur deri mëngjesin e së hënës, përveç: Të moshuarve që do lejohen të dalin të shtunën deri në orën 11:00, Nënave me fëmijë (deri 10 vjeç) që do të lejohen të dalin të dielën deri në orën 11:00“, shkruan Manastirliu.
Edhe Kryeministri Rama njofton gjithashtu se dita e nesërme do i kushtohet vetëm pensionistëve deri në orën 11:00.
“Nesër vetëm pensionistët në ajër të pastër deri në orën 11.00. Të gjithë ne të tjerët në shtëpi“, shkruan Rama.