Këngëtari i famshëm Ermal Meta në konferencën për shtyp një ditë para koncertit të tij në stadiumin “Air Albania” premtoi se nesër do mbajë koncertin më të mirë të jetës së tij.
“Është një nder shumë i madh për mua, hera e 3 që bëj koncert këtu dhe sa herë vij më duket si hera e parë sikur nuk kam bërë kurrë një koncert, po dridhem sot imagjinoni nesër. Nesër do mundohem të bëj koncertin më të mirë në jetën time. Është hera e parë që bëj koncert në një stadium dhe të gjitha energjitë do i shkrij mbi skenë”, tha ai.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njoftoi disa detaje sa i përket zhvillimit të koncertit nesër më 17 shtator.
“Ne do të hapim dyert e stadiumit duke qenë se do respektojmë edhe masat antikovid, edhe distancat, sigurisht edhe protokollin e sigurisë nga Federata. Do t’i hapim dyert që në orën 17:00 që të kemi mundësi të fillojmë me koncertin në orën 19:00 dhe të japim mesazhin që jo vetëm që Tirana është hapur por që në duam ta shijojmë jashtëzakonisht këtë raport special që ne kemi me Italinë dhe në 30-vjetorin e eksodit dhe këtij raporti ku ndoshta fabulën më të bukur por ndoshta dhe më unike e ka Ermali të kemi mundësi të prodhojmë një histori suksesi”, sqaroi Veliaj.
Ndërsa ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci tha se ndihet i lumtur për organizimin e këtij koncerti, që tregon më së miri edhe marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë.
“Në këto 30 vite, Shqipëria ka ndryshuar vërtet fytyrë, ka bërë hapa gjigante përpara. Në këtë rrugëtim, Italia ka qenë përherë përkrah Shqipërisë. Jemi vende të veçanta, jemi vende mike, të lidhur nga historia, gjeografia, kultura, ekonomia, shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Italisë, janë të parët në renditjen e këtyre klasifikimeve”, nënvizoi ambasadori.