“Ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri do të përballet të mërkurën më Gjykatën e Krimeve të Rënda. Të mërkurën nis gjyqi në themel për ish-Ministrin që akuzohet nga prokuroria për “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim, grup i strukturuar kriminal”. Në seancën e së mërkurës do të shqyrtohet edhe kërkesa për gjykim të shkurtuar që ka kërkuar Tahiri, përmes avokatit të tij mbrojtës”.
Tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë dosjen penale të ish-zyrtarit të lartë, i cili akuzohet për favorizim të grupit kriminal Habilaj në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë janë Ardit Mustafaj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka.
Tahiri përfundoi i pandehur pas 18 muajsh hetimesh bashkë me tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Gjergj Kohila e Sokol Bode. Ish-ministri i ka mohuar akuzat e prokurorisë, pasi sipas tij organi i akuzës nuk ka asnjë provë kundër tij.
Hetimet nisën në Tetor të 2017 për ish-ministrin Tahiri me dyshimin sa ka lidhje me grupin e Habilajve që trafikonte drogë drejt Italisë. Më herët prokuroria e Katanias mbylli hetimet ndaj ish-ministrin e Brendshëm, pasi ndaj tij nuk u gjetën prova që e implikonin në trafikun e drogës.